TIRANË, 6 Mars/ATSH/.- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi sot, pas mbylljes së afro 100 kompanive të riciklimit të mbetjeve në vend, ndërsa akuzoi qeverinë se po përpiqet të centralizojë industrinë e riciklimit të mbetjeve.
Përmes një deklarate për shtyp, Basha tha se “Shqipëria po bëhet gati tani të importojë plehra”.
“Sot Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë ka denoncuar mbylljen e afro 100 bizneseve. Heqja e këtyre 100 licencave përkon me futjen nën kontrollin total nga qeveria të procesit të mbledhjes, riciklimit, djegies dhe groposjes së mbeturinave në Bashkinë e Tiranës. Para dy muajsh ai që ka në pronësi impiantin e Tiranës, të Fierit dhe të Elbasanit, ka blerë kuotën kontrolluese të kompanisë së riciklimit të Bashkisë së Tiranës”, tha Basha.
Sipas tij, skema është: “përqëndrimi i të gjithë aktivitetit, që nga mbledhja, riciklimi, djegia dhe groposja e mbetjeve, në duart e dyshes Rama-Ahmetaj”.
Basha tha se “po ndodh e njëjta gjë që ka ndodhur me lojërat e fatit, sistemin financiar dhe me sistemin e ndërtimit”. “Po bëhet përqëndrimi i gjithë sektorëve të ekonomisë në duar të kryeministrit të vendit”, tha ai, ndërsa shprehu mbështetjen e opozitës për pretendimet e ngritura nga “Shoqata e ricikluesve”.
Basha iu përgjigj edhe pyetjeve lidhur me organizimin e PD-së, duke theksuar se “Partia Demokratike sapo ka përfunduar procesin e analizës dhe po bëhet gati të hedhë hapin përfundimtar drejt ndërtimit dhe riorganizimit të partisë”./m.m//e.caushi/























