Ballina Ekonomi

Nis reforma në sektorin e ujësjellësve


TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Sektori i ujësjellësve do t’i nënshtrohet një reforme të thellë, me qëllim përmirësimin e shërbimit për qytetarët.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se do të nisë një reformë e thellë për të rritur mirëmenaxhimin.

“Është pjesë e strategjisë së qeverisë vijimi i investimeve për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësve në të gjithë vendin. Deri tani janë investuar mbi 900 milionë euro në këtë sektor dhe pavarësisht se ka përmirësim të kushteve teknike, sërish impakti nuk është i pritshmi. Për këtë qëllim ne kemi nisur një reformë të thellë që ka në fokus përmirësimin e menaxhimit”, deklaroi ministrja në prononcimin për mediet pas mbledhjes së qeverisë.

Ministrja siguroi se kjo reformë nuk do të cenojë autonominë vendore.

“Janë diskutuar disa mundësi, nga agregimi i ndërmarrjeve e deri te bashkëmenaxhimi midis pushtetit vendor dhe qeverisë”, deklaroi ministrja.

Sipas Ballukut, në kuadër të kësaj reforme do të nis edhe një tur me ekspertë të MIE-s dhe AKUM-it (Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve) në të gjitha bashkitë.

Balluku tha se gjatë mbledhjes së qeverisë u miratuan edhe tre vendime për shpronësime, të cilat i hapin rrugën vijimit të punimeve për ndërtimin e bajpasit të Vlorës, projektin e rivitalizimit të qendrës së Patosit dhe ujësjellësit në Roskovec.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVijon puna për hapjen e kanaleve kulluese në Bulqizë
Artikulli tjetërMiratohet plani i veprimit kundër trafikimit të personave