Ballina Aktualitet

Miratohet plani i veprimit kundër trafikimit të personave


TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot planin e veprimit antitrafik të personave.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi u shpreh për mediet pas mbledhjes së qeverisë, se ky plan veprimi është pjesë e strategjisë kundër krimit të organizuar.

“Plani i Veprimit për vitin 2022 përmban veprime konkrete të shumë institucioneve shtetërore, por jo vetëm, sepse siç dihet trafiku i qenieve njerëzore është një fenomen shumë kompleks, ndaj qasja është shumëdimensionale”, tha ai.

Çuçi u shpreh se, “do të ketë një adresim shumë konkret që fillon që nga parandalimi i këtij fenomeni, deri në rehabilitimin e viktimave të trafikut të personave”.

“Është një plan veprimi që është pjesë e një strategjie 4-vjeçare, 2021-2025 kundër krimit të organizuar dhe është përgatitur sigurisht nga shumë institucione shqiptare me kryesimin e Ministrisë së Brendshme, por edhe me partneritetin e partnerëve tanë që na ndihmojnë në këtë fushë dhe kryesisht me agjencitë e Kombeve të Bashkuara”, përfundoi Çuçi.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNis reforma në sektorin e ujësjellësve
Artikulli tjetërPeleshi: Pagesë dinjitoze për vullnetarët që përfshihen në aksionet e Emergjencave Civile