TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Prof. Dhimitër Kraja, mjek në Spitalin Infektiv në QSUT, gjatë mbledhjes së radhës së Komitetit Teknik të Ekspertëve, ka bërë me dije se të gjithë pacientët e shtruar në spital aktualisht janë të pavaksinuar.
“Gjendja në spitalin Covid 1, ku praktikisht shtrohen të gjithë të sëmurët e Shqipërisë me COVID-19, është shumë e qet. Ka sot që flasim 5 të sëmurë që janë pozitivë dhe 2 të sëmurë të tjerë që po ndiqen me pneumoni dhe me tampon të sigurt në mënyrë absolute negativë. Janë moshë mbi 65 vjeç e sipër, asnjë prej tyre nuk është i vaksinuar, as me një dozë, as me dy doza vaksinash”, theksoi Kraja.
Duke e konsideruar vaksinimin në Shqipëri një proces me të dhëna inkurajuese, prof. Kraja u ka bërë apel qytetarëve të vaksinohen, pasi vaksinat janë efikase dhe mbrojnë nga COVID-19.
“Kjo situatë nuk është e rastësishme, përkon me atë periudhë që vjen pas vaksinimit dhe pas kohës që vaksinimi jep efektet pozitive, pra kronoliogjikisht përkon me etapën e postvaksinimit, kjo është një gjë pozitive dhe që na inkurajon. Vaksina në Shqipëri po funksionon, vaksinat në Shqipëri janë efikase, janë mbrojtëse, sepse edhe faktet janë, asnjë rast që është i vaksinuar nuk është i shtruar në spital”, tha Kraja.
Prof. Kraja ka theksuar se rastet e shtruara në COVID 1 janë raste të patakuara më parë me këtë sëmundje ndaj dhe duhet të tregojnë kujdes të shtuar.
“Asnjë prej këtyre të sëmurëve nuk e kanë kaluar më parë COVID-19, janë raste të ‘virgjra’ në raport me Covid, nuk e kanë takuar më parë. Kjo nxjerr edhe një detyrë për rastet e paprekura, të stimulohen dhe vaksinohen të gjithë, këto janë fakte reale dhe të vlefshme që vijnë nga COVID 1 dhe duhet t’i kenë në konsideratë”, tha Kraja në raportimin e tij gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Duke folur për situatën epidemiologjike dyjavore, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico tha se “përhapja dyjavore për periudhën 5-18 korrik është 5 për 100 mijë banorë. Ka një rritje të lehtë të mesatares së rasteve pozitive të reja ditore nga 8 në 13. Numri i rasteve aktive është rritur në 156 krahasuar me 137. Ndërkohë që ka një zbritje të numrit të bashkive të prekura, nga 10 në 9. Raporti i infeksionit femra-meshkuj është 52-48 %”.
/k.s//a.a/r.e/


















