Ballina Flash

Harxhi: PD e kapur nga oligarkët, SPAK dhe Prokuroria të hetojë

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ “Partia Demokratike është e kapur nga oligarkia dhe SPAK duhet të hetojë”.

Kështu u shpreh sot, Edith Harxhi, ish-kandidate për postin e kryetares së Partisë Demokratike, në një intervistë televizive, ku theksoi se “unë mendoj se Partia Demokratike sot është plotësisht e kapur, është e kapur jo vetëm nga Lulzim Basha vetë por nga oligarkia në përgjithësi dhe Basha është anëtar i kësaj oligarkie sot”.

“Vetëm disa ditë më parë, tha ajo, ka patur në disa media në Shqipëri, të dhëna për aferën në Portin e Durrësit, çka tregon se PD është futur shumë thellë”, tha Harxhi.

Harxhi theksoi se, “nëse janë të vërteta ato që thonë mediet në lidhje me kunatin e Bashës, që ai është ortak me atë që ka fituar tenderin 20 miliardësh, natyrisht që është lidhje e drejtëpërdrejtë, për këtë arsye mendoj se, SPAK apo Prokuroria duhet të hetojë”.

Në zgjedhjet e 13 qershorit, për kryetarin e ri të Partisë Demokratike, Harxhi mori 190 vota por duhet patur parasysh tha ajo, “që kryetari Basha është votuar nga 30% e anëtarësisë së PD-së dhe ato zgjedhje nuk ishin as zgjedhje as zgjidhje, ishin zgjedhje jo të barabarta jo transparente dhe për këtë arsye unë kam çuar në Gjykatën e Tiranës një padi civile, për largimin nga lista të mijëra demokratëve, të cilët nuk mundën të marrin pjesë në zgjedhjet e 13 qershorit”.

Harxhi tha se “për këtë arsye, Lulzim Basha nuk është një kryetar që mund të kryej funksione të plota ligjore në PD, pasi ai përfaqëson vetëm 30% të anëtarësisë së PD-së”.

Ajo theksoi se do të vazhdojë të luftojë për debat të lirë brenda PD-së dhe në zgjedhjet e ardhshme do të kandidojë sërish për kryetare partie. /a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTIA: Qytetarët të paraqiten në aeroport 3 orë përpara udhëtimit
Artikulli tjetërMjeku Kraja: Të gjithë të shtruarit në spital të pavaksinuar