TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca priti sot në Tiranë në një takim drejtoreshën dhe ekipin e Agjencisë së Pagesave Agrare të Serbisë, Biljana Petrovic, e cila ndodhet në Shqipëri për një vizitë pune dy ditore.
“Së bashku me ekipin drejtues kanë ardhur të njihen me AZHBR, mënyrën si punojmë dhe posaçërisht implementimin e Programit IPARD”- u shpreh Krifca.
Gjatë këtij takimi Krifca bëri një ekspoze të arritjeve dhe zbatimit të programit IPARD në vendit tonë, teksa u ndal në impaktin dhe progresin që i ka dhënë ky program në rritjen e standardeve të prodhimit bujqësor, punësimit dhe të gjithë zinxhirit të vlerës ushqimore.
Krifca u shpreh se, “në total nga programi IPARD II janë rreth 500 kontrata që do të lidhen, çka janë një injektim i rëndësishëm në ekonomi dhe kryesisht në sektorin e bujqësisë”.
“Në total nga fondi prej 90 milionë euro i programit IPARD II, me tre thirrje 1, 2, 3 planifikojmë të lidhen 500 kontrata investimi. Me investimet që pritet të nisin nga ky program si dhe me skemën e naftës pa taksa, gjatë këtij viti, bujqësia pritet të jetë ndër sektorët që do të udhëheqë rritjen”, deklaroi Krifca.























