Ballina Bota

SHBA – Rekord viktimash nga COVID-19 në 24 orët e fundit

UASHINGTON, 13 janar /ATSH-AFP/ – SHBA-ja ka kaluar ndjeshëm rekordin e mëparshëm ditor të viktimave nga COVID-19 duke shënuar 4 500 të vdekur si pasojë e koronavirusit vetëm në një ditë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Vendi, i përballur me një shpërthim të epidemisë, të cilën nuk ka arritur ta marrë nën kontroll që prej vjeshtës, nuk e kishte kaluar ende pragun prej 4 000 të vdekur në 24 orë.

SHBA-ja ka regjistruar gjithashtu më shumë se 235 000 infektime të reja dhe 4 470 të vdekur, sipas një njoftimi që bëhet çdo ditë në orën lokale 20:30.

Rreth 131 000 persona ndodhen aktualisht në spitale për shkak të COVID-19, sipas Covid Tracking Project, që analizon çdo ditë të dhënat në të gjithë vendin.

“Mesatrja e numrit të viktimave në shtatë ditë ka qenë më e larta që prej fillimit të pandemisë”, sipas të njëjtit burim.

Përballë kësaj situate dhe shfaqjes së varianteve të reja të virusit duke ngjallur shqetësim, autoritetet shëndetësore kanë njoftuar sot se të gjithë udhëtarët që dëshirojnë të shkojnë në SHBA me avion duhet të paraqesin, duke filluar nga 26 janari, një test negativ për COVID-19 me qëllim për t’i lejuar të udhëtojnë.

Për momentin, vetëm 9,3 milionë persona kanë marrë injetimin e parë të një prej dy vaksinave të autorizuara në vend, më pak se 3% e popullsisë.

Sipas ekspertëve, duhet që rreth 75% e popullsisë të vaksinohet për të arritur një imunitet kolektiv.

Në total, SHBA-ja ka regjistruar 22,8 milionë raste dhe më shumë se 380 000 të vdekur nga koronavirusi që prej fillimit të pandemisë./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLehtësimi i barrës fiskale/ Ekonomi: Fermerët përfituan 1,6 miliardë lekë
Artikulli tjetërArrestohet sanitarja e spitalit COVID 2/ Akuzohet për mashtrim dhe korrupsion