Lehtësimi i barrës fiskale/ Ekonomi: Fermerët përfituan 1,6 miliardë lekë

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Ulja e konsiderueshme e taksave në sektorin e bujqësisë i ka shërbyer fermerëve të rrisin fitimet, të zgjerojnë aktivitetin dhe punësimin.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi tha për ATSH-në se, “në qendër të vëmendjes është fermeri dhe e gjithë mbështetja që i ka dhënë qeveria në këto vite është fokusur në një sërë lehtësish fiskale për sektorin e bujqësië”.

“Nga lehtësimi i barrës fiskale, fermerët kanë përfituar 1.6 miliardë lekë”, u shpreh Ekonomi.

Konkretisht paketa e mbështetjes fiskale për fermerët lidhet me: përjashtimin nga TVSH-ja e inputeve bujqësore; përjashtimi nga TVSH-ja për kafshët e gjalla; ulja nga 12 % në 6 % për shërbimet e akomodimit në agroturizëm; heqja e TVSH-së, për makineritë e pajisjet bujqësore si dhe heqja e taksave të karbonit dhe akcizës së karburantit për sektorin e peshkimit.

Ministrja Ekonomi theksoi se, të gjitha këto lehtësësi kanë bërë të mundur rritjen e prodhimit dhe angazhimin më të madhe të forcave të punës.

“Nga ana tjetër, tha Ekonomi, kjo do të thotë që fermerët kursyen para nga kontributi në shtet, për TVSH-në e inputeve, farave, makinerive, fidanëve dhe përfituan 1,6 miliardë lekë në ekonominë e tyre familjare”. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.