Ballina Aktualitet

Reforma në Drejtësi në programin e PS para se të vinte në pushtet

TIRANË, 13 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/- Kryeministri Edi Rama, gjatë emisionit “Opinion”, mbrëmjen e së enjtes, ka nënvizuar se ishte Partia Socialiste e udhëhequr prej tij, që i kërkoi Kancelares Merkel mbështetjen për realizimin e Reformës në Drejtësi.

Sipas Kryeministrit Rama, pavarësisht se në Partinë Socialiste ka pasur debate të brendshme lidhur me Reformën në Drejtësi, sërish kjo reformë është vlerësuar si një mision.

“Në vitin 2013 nisëm procesin për të bërë Reformën në Drejtësi me një parti aleate që ishte kundër Reformës në Drejtësi në gjithë historinë e këtyre viteve, ku të gjithë janë marrë me politikanët dhe ku askush, një herë nuk është marrë me oligarkinë e vërtetë të këtij vendi, që janë prokurorët dhe gjyqtarët, dhe e kanë bërë Shqipërinë mish për top. Kanë transferuar prona, tituj pronash, nga njerëz që u takon me ligj e zakon, tek lloj-lloj kriminelësh e hajdutësh. Kanë shkatërruar jetë të tëra nënash, baballarësh, fëmijët e të cilëve janë vrarë nga kriminelë. Janë bashkëpunëtorë të krimit. Dhe askush s’e ka bërë këtë gjë. E kemi bërë ne. Kush e bëri? Të vdekurit, që për 30 vite nuk bënë asgjë?” – theksoi Rama.

“Reforma në Drejtësi ishtë në programin e PS para se të vinim në pushtet dhe ka pasur debat se si do e bënim këtë se s’kemi 84 vota në Kuvend. Unë thashë: ‘ky është misioni ynë’. Unë kam vajtur te Kancelarja e Gjermanisë, sepse nuk donte askush në BE të bënte veting dhe i kam thënë ne do bëjmë Reformën në Drejtësi dhe ata e kanë mbështetur pasi kanë kuptuar të gjithë rëndësinë e saj”, – theksoi Rama.

“Shtetet nuk ndërtohen siç bëhen tirazhet e gazetave”, – nënvizoi Rama.

Duke kaluar tek pyetja e gazetarëve për akuzat e opozitës për shkelje të Dekriminalizimit, Rama theksoi se: “Në parlament unë s’kam futur asnjë kriminel”.

“Në Republikën e Shqipërisë ka pasur një legjislacion të caktuar. Shikoje ku ka qenë Shqipëria në vitin 2013 sa i takon vrasjeve dhe ku është sot”, – tha Rama, teksa në grafikun e publikuar në emision tregohej se janë 46% më pak vrasje nga 2013, në 2019.

“Policia e Shtetit në vitin 2013 në barometrin e BE ka qenë institucioni më i diskretituar, po prej disa vitesh është institucioni më i besuar në Republikën e Shqipërisë”, – nënvizoi Rama.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPaketa Anti KÇK/ Rama: Ndërhyrja në ligj për gjykatësit e prokurorët e domosdoshme, kemi pasur aleatë me krimin në përballjen me shtetin
Artikulli tjetërLiberalizimi i vizave/ Thaçi: Kosova e zhgënjyer nga BE-ja, angazhimi i drejtpërdrejtë i SHBA-së, inkurajues