Ballina Flash

Sterilizimi i pajisjeve mjekësore/ Mbi 95 mijë operacione dhe ndërhyrje mikrokirugjikale në vit

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Në Shqipëri, kryhen mbi 60 mijë operacione që bashkë me ndërhyrjet mikrokirurgjikale shkojnë në 95 mijë në vit.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur deklaratave të deputetes së opozitës parlamentare Rudina Hajdari.

“Nëse do të shkoni të shikoni dhe do të krahasoni spitalet që mund të keni parë në të shkuarën filloni nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Jam i bindur se me gjithë mungesën e vullnetit, sot do të shikoni që është një ndryshim shumë i madh. Për çfarë e keni fjalën ju, zonja Hajdari, kur thoni që kontrolli mjekësor bazë nuk funksionon? Kujt ia thoni thuajse gjysmë milion shqiptarëve që e kanë kryer kontrollin mjekësor bazë falas në vitin 2019? Atyre ia thoni? Thuajani, por ata janë gjysmë milioni që ju dëgjojnë, ju dëgjojnë ju dhe dinë eksperiencën e tyre. Shkoni bëjeni kontrollin thjesht për të provuar bën apo jo. Përgjigjet e analizave mund t’i merrni në kompjuterin tuaj pa shkuar fare në sportel”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “për çfarë e keni fjalën ju kur thoni për sterilizimin, për kontratë korruptive? Deri kur ne erdhëm në qeveri një përqindje drithëruese e operacioneve përfundonin me infeksione postoperatore. Deri dje shumë nëna që shkonin për të lindur në maternitet nuk dilnin dot direkt pas lindjes se kishin infeksion postoperator. Shumë të tjerë që shkonin për të bërë operacione nuk dilnin dot menjëherë dhe kështu konsumonin organizmin e tyre më shumë para për familjen që duhet të shkonte e të vinte në spital dhe mbanin të zënë një krevat që i duhej dikujt tjetër”.

“Mungesa e sterilizimit sillte të gjitha këto. Deri para pak vitesh vazhdonin operacionet me pincat e dashurisë shqiptaro-kineze”, – tha Rama. /k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZyrtare: Supersfida “Tirana”-“Teuta” në “Air Albania Stadium”
Artikulli tjetërBRUKSEL – BE: Barrierat lundruese greke nuk duhet të bllokojnë hyrjen e azilkërkuesve