Zyrtare: Supersfida “Tirana”-“Teuta” në “Air Albania Stadium”

TIRANË, 30 janar/ATSH-A. Fortuzi/-Ndeshja mes “Tiranës” dhe “Teutës” së Durrësit do të luhet ditën e dielë në orën 17:00 në “Air Albania Stadium”.

Klubi i futbollit të kryeqytetit ka vendosur që supersfida mes bardhebluve dhe durrësakëve të zhvillohet në “Air Albania Stadium” dhe jo në stadiumin tradicional ku skuadra 24 herë kampione e vendit luan ndeshjet e saj “shtëpiake”. Drejtuesit e klubit bardheblu kanë zgjedhur impiantin e ri të futbollit për të mikëpritur skuadrën bregdetare, në një nga sfidat më klasike të futbollit shqiptarë.

Pas derbit “Partizani”-“Tirana” dhe supersfidës “Kukësi”-“Partizani”, tashmë dhe sfida mes “Tiranës” dhe “Teutës” do të zhvillohet në impiantin modern kryeqytetas. Ndeshja e vlefshme për raundin e 20-të të Superiores pritet të mbush shkallët e stadiumit “Air Albania”. Klubi bardheblu njofton sepasi u këshillua me tifozët e saj me një sondazh në Facebook se në cilin stadium dëshironin të luhej ndeshja e radhës ndaj durrsakëve në “Air Albania” apo “Selman Stërmasi”, nga mbështetja e shumtë që pritet të ketë edhe nga fansat bardheblu, klubi i Tiranës vendosi për impiantin e ri “Air Albania”.

Ndeshja “Tirana”-“Teut”a do të luhet ditën e dielë në orën 17:00 në stadiumin e ri, me Tiranën që do të tentojë fitoren e 6-të radhazi në kampionat, pikërisht aty ku nisi kjo ecuri fantastike e bardhebluve me Egbo në krye. Drejtuesit e Tiranës shpresojnë që numri i tifozëve në stadium të jetë rreth 10 mijë ose dhe më tepër.

Sa i takon skuadrës, klubi është duke treguar një formë të mirë. Bardheblutë ndodhen në vendin e dytë në kampionat, 1 pikë larg “Kukësit”, që mban vendin e parë në kuotën e 35 pikëve. Ndjekësi më i afërt i dyshes në krye të superiores është “Teuta” me 31 pikë. “Tirana” ka grumbulluar këtë sezon deri më tani 10 fitore, po aq sa dhe “Kukësi” kryesues, teksa dallimi është te barazimet dhe humbjet, ku kryeqytetasit kanë arritur 4 barazime dhe 5 humbje, ndërsa “Kukësi” 5 barazime dhe 4 humbje. Në kampin durrësak statistikat janë ndryshe, 8 fitore,7 barazime dhe 4 humbje. “Tirana” këtë sezon deri më tani ka sulmin më të mirë me 34 gola, ndërsa “Teuta” vetëm 14 të tillë, por ndryshe nga bardheblutë, durrësakët kanë mborjtjen më të mirë me 13 gola të pësuar. “Tirana” përndryshe ka mbrojtjen tejet të brishtë me 21 gola të pësuar.  Pra, sfida mes “Tiranës” dhe “Teutës” pritet të jetë një duel plot emocione dhe surpriza për fansat e futbollit në vendin tonë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.