Ballina Ekonomi

Reformat në disa sektorë mundësuan rritjen ekonomike

TIRANE, 15 Maj/ATSH/-Statistikat e sakta janë instrumenti më i mirë për hartimin e politikave dhe realizimin e reformave dhe në këtë kuadër me financimin e qeverisë zviceriane do të zbatohet projekti “Statistika të Forta Lokale Shqiptare”.

Projekti SALSTAT do të shërbejë për të ndërtuar një sistem statistikor të qëndrueshëm në Shqipëri bazuar në të dhënat administrative, duke ndërtuar regjistra statistikorë.
Në ceremoninë e mbajtur në Tiranë për prezantimin e projektit, ishte i pranishëm edhe ministri i Financave dhe ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj theksoi se statistikat janë instrumenti më i drejtpërdrejtë kur gjykojmë mbi eficiencën e politikave dhe reformave të ndërmarra, ose orientimin e politikave të reja të mira.

“Në 2013-ën ne trashëguam fatkeqësisht një skenar, në këndvështrimin tim, të parapërgatitur, atë të një falimenti të mundshëm të ekonomisë. Rritja ekonomike në kufijtë pranë zeros, varfëria në rritje, besoj të gjithë ata që punojnë me statistikat e mbajnë mend dhe i referohen vitit 2012 si viti me kulmin e varfërisë, konsumi në rënie dhe papunësia në nivele rekord, 17.6 %”, shpjegoi ministri.

Reagimi normal i çdo qeverie të përgjegjshme ndaj vendit dhe qytetarëve, sipas ministrit, është ndërmarrja e reformave në sektorët më problematikë, sikurse bëmë me energjinë, pensionet, financat publike, klimën e biznesit, reformën territoriale dhe sigurisht reformën në drejtësi.
Falë tyre, bëri të ditur kreu i financave publike, sot rritja ekonomike është në kufirin rreth 4% dhe ndër më të lartat në rajon.
Po ashtu, sipas tij, borxhi publik ka konsoliduar tashmë trajektoren e vet rënëse, në nivelet e 69.9 %

“Kombinimi i duhur i politikave makroekonomike ka prodhuar vende pune në ekonomi, janë rreth 220 mijë vende të reja pune në katër vite. Papunësia në vitin 2017 është në nivelet më të ulëta historike në 10 vitet e fundit” u shpreh ministri.

Më tej, ai foli për politikat fiskale, duke iu referuar dhe raportit të fundit të Bankës Botërore. Sipas ministrit, politikat fiskale kanë ndihmuar në uljen e pabarazisë dhe varfërisë në vend.

Por, pavarësisht treguesve në rritje, ministri tha se ka probleme ende të mëdha në terrenin ekonomik.

Një ndër të cilat, sipas ministrit, është cilësia e statistikave. “Kemi arritur në një stad që nëpërmjet cilësisë së shifrave të reflektohet cilësia e politikave të ndërmarra”, deklaroi ministri.

Prandaj, shtoi ai, Instituti i Statistikave është në rolin dhe rëndësinë e tij, thelbësor, për të garantuar informacion të paanshëm, të besueshëm, të saktë dhe në kohë.

“Ka patjetër sfida që lidhen me kapacitetet, me metodologjinë. Unë sot besoj pa asnjë shtesë klisheje politike që Instituti i Statistikës është tërësisht i pavarur”, tha Ahmetaj.

Për ne si qeveri, u shpreh ministri, garantimi i pavarësisë së INSTAT ka qenë një nismë e rëndësishme te e cila kemi besuar që në fillim të mandatit tonë të parë dhe sot është realitet.

Ministri deklaroi se koha kur rritja ekonomike përcaktohej në zyrat e Këshillit të Ministrave ka mbaruar. “Sot Instituti i Statistikës është një institucion i besueshëm dhe shifrat janë të konsoliduara dhe cilësore”, tha ai.

Ndërsa duke u ndalur në projektin që u prezantua sot Ahmetaj theksoi se krijimi i një regjistri statistikor në nivel lokal dhe në nivel kombëtar, gjithashtu do të ndihmojë në përmirësimin e administrimit të bashkive duke siguruar efiçencë, efektivitet dhe pjesëmarrje të qytetarëve të tyre./a.gjonaj/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFRANCË – PBB-ja regjistron rritje me 2,2%
Artikulli tjetërBasha kërkon largimin e ministrit