Ballina Aktualitet

Basha kërkon largimin e ministrit

TIRANË, 15 maj /ATSH- I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediet sot ka kërkuar largimin nga detyra të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe njëherazi t’i nënshtrohet hetimit nga Prokuroria dhe ligjit antimafia.

Pas takimit me aleatët, Basha tha se “është fakt që Agron Xhafa i ka ikur drejtësisë, ka patur dijeni për të gjitha proceset, ka patur edhe avokat mbrojtës i cili ka ndjekur të gjitha shkallet gjyqësore, por ka zgjedhur të mbetet në arrati gjatë gjithë procesit të gjykimit”.

Sipas tij, Agron Xhafaj është i lirë dhe gjendet në Shqipëri me identitet të ndryshuar.

“Të gjitha këto janë fakte dhe në bazë të këtyre fakteve ligji shqiptar kërkon që Agron Xhafaj të arrestohet dhe të vuaj dënimin e marrë. Në bazë të këtyre fakteve, ligji shqiptar antimafia kërkon që pasuritë e tij dhe të vëllait Fatmir Xhafaj, të hetohen”, – tha ai.

Basha shton se Fatmir Xhafaj si Kryetar i Komisionit të Ligjeve ka manipuluar përmes falsifikimit ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale për të ndryshuar një nen i cili e bënë të pamundur ekstradimin e Agron Xhafajt.

“Fatmir Xhafaj si ministër i Brendshëm pengon zbatimin e ligjit antimafia, i cili e thotë qartë se pasuritë e atyre që dyshohen për pjesëmarrje në organizata kriminale, sekuestrohen, hetohen dhe nëse janë vepër e produktit kriminal sekuestrohen”, – tha ai.

Po ashtu, Basha shprehet se “Fatmir Xhafaj duhet t’i nënshtrohet ligjit antimafia për pasuritë e tij, si familjar i personave me aktivitet mafioz. Të hetohen veprimet dhe mosveprimet si ministër i Brendshëm se vëllai i tij nuk ka bërë asnjë ditë të vetme burg. Duhet të hetohen veprimet dhe mosveprimet e ministrit Xhafaj, se Agron Xhafaj i ka shpëtuar dënimit”.

“Prandaj Fatmir Xhafaj, duhet të largohet menjëherë nga posti i tij si ministër i Brendshëm. Fatmir Xhafaj refuzoi që Vetting-u të fillonte nga ai vetë, siç e propozuam ne, dhe tani është e qartë pse e refuzoi. Tani është momenti të largohet dhe t’i nënshtrohet ligjit antimafia”, – theksoi Basha. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakReformat në disa sektorë mundësuan rritjen ekonomike
Artikulli tjetërBRUKSEL – Bashkëpunim BE-Londër për sigurinë dhe tregtinë edhe pas Brexit