Ballina Lajme nga Vendi

Sheshi “Skënderbej” përzgjidhet për finalen e Çmimit Europian për Hapësirën Publike 2018

TIRANË, 11 maj /ATSH/ – Pas suksesit në Bienalen e Arkitekturës në Çikago ku merrnin pjesë 140 arkitektë dhe urbanistë të zgjedhur nga 20 vende të botës, sheshi “Skënderbej” është zgjedhur si një nga 25 projektet finaliste për Çmimin Europian për Hapësirën Publike 2018.

Lajmi që bën krenar çdo shqiptar për këtë kryevepër arkitekturore është dhënë nga vetë kryebashkiaku Erion Veliaj në Twitter.

“Është e mrekullueshme të shohësh sheshin tonë ‘Skënderbej’ të përzgjedhur si finalist për Çmimin Europian për Hapësirën Publike 2018”, shkruan Veliaj në Twitter.

Juria ndërkombëtare e këtij konkursi njeh krijimin, rikuperimin dhe përmirësimin e hapësirave publike dhe vlerëson gjendjen e tyre si një tregues i shëndetit demokratik të qyteteve.

Një vit më parë sheshi “Skënderbej”, vendi simbol i shqiptarëve, u hap për publikun duke shfaqur një pamje krejtësisht të re. Sheshi “Skënderbej”, në mënyrë simbolike, për gurët me të cilët është ndërtuar dhe pemët me të cilat është gjelbëruar, përfaqëson të gjitha trojet shqipfolëse.

Ai përfaqëson një ndërthurje mes pjesës së ngurtë dhe asaj të gjelbër dhe pyllëzuar, duke ruajtur fort simbolikat kombëtare dhe historike që mbart.  Dikur një shesh me gropa dhe ku mbizotëronin automjetet, tashmë sheshi ofron 32 000 metra katrorë oaze e pyll urban me bimësi nga çdo krahinë ku jetojnë shqiptarë, të gjitha në funksion të qytetarëve, të aktiviteteve artistike, kulturore, panaireve, koncerteve apo thjesht shëtitjeve e xhirove në orët e pasdites, në freskinë e pemëve. Ato janë të mbjella në rreth 11 lulishte, ku janë mbjellë 2,220 pemë, 4,500 shkurre dhe 70,000 lule.

Sheshi është i pajisur gjithashtu me rreth 100 shatërvanë, të cilët përveç aspektit estetik, do të shërbejnë edhe për freskinë gjatë periudhës së nxehtë. Ky shesh është në fakt një risi për vendin tonë edhe në aspektin ekologjik, duke shfrytëzuar ujin e shiut në sistemin e vaditjeve dhe shatërvanëve. Për të bërë të mundur këtë poshtë sheshit janë ndërtuar rreth 2100 m3 rezervuare për ujin. Transformimi i këtij sheshi i ka dhënë qendrës së Tiranës një pamje dinjitoze duke u shndërruar atë në mënyrë simbolike në qendrën e të gjithë shqiptarëve dhe njëkohësisht në kartolinën më të bukur europiane.

Rama: Sheshi “Skënderbej”, një ndër hapësirat më të bukura publike të Europës

Lidhur me këtë lajm, ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama, duke u shprehur se sheshi “Skënderbej”, e ka marrë tanimë edhe vulën më prestigjoze europiane, si një ndër hapësirat më të bukura publike të Europës.

“Kur 10 vite më parë, thosha se Sheshi i Ri ‘Skënderbej’ do jetë ndër hapësirat më të bukura publike të Europë, çfarë nuk më dëgjuan veshët. Sot, Sheshi i Ri ‘Skënderbej’, pasi u bllokua si kantier, u shkatërrua për t’u zëvendësuar me një rrethrrotullim makinash me një kurabie bari në mes dhe, më në fund u rindërtua e përfundua, është përzgjedhur në listën e finalistëve për Çmimin Europian të Hapësirës më të Bukur Publike 2018, në Barcelonë”, – thekson Kryeministri.

Të shohim nëse do të shpallet fitues, shprehet Rama, por sidoqoftë ka marrë tanimë edhe vulën më prestigjoze europiane, si një ndër hapësirat më të bukura publike të Europës.

“Prandaj, ata që hidhen përpjetë sapo shfaqen të rejat që sjell vizioni e këmbëngulja modernizuese në hapësirën tonë të përbashkët, bëjnë mirë ta nxjerrin mësimin nga kjo histori, sepse nesër edhe Stadiumi i Ri Kombëtar edhe Teatri i Ri Kombëtar, do të jenë në të njëjtën kategori të Familjes Europiane të veprave të bukura urbanistike e arkitektonike, siç është tanimë Sheshi i Ri ‘Skënderbej'”, – deklaron kreu i ekzekutivit.

/e.malaj/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLlogaridhënia, qytetari nga Kurbini gjen zgjidhje pas ankesës për ilaçet
Artikulli tjetërPOLONI – Deputetët votojnë për zvogëlimin e pagës së tyre