https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155798251056523/
TIRANË, 11 maj/ATSH/ – Lista e re e barnave të rimbursueshme përmban shumë barna të reja xhenerike.
Një qytetar që u ankua tek Kryeministri Rama gjatë një aktiviteti të llogaridhënies në Kurbin, i cili kurohej mbi 5 vjet për mëlçinë e zezë, tashmë mund të marrë falas barin xhenerik për sëmundjen e tij.
“Kam mbi 5 vjet që kurohem për mëlçinë e zezë. Unë e marr ilaçin me gjysëm rimbursimi 60 mijë lekë. Këtë radhë kjo ishte bërë 215 mijë lekë. Por kaq unë nuk e marr dot”, ishte ankesa e qytetarit.
Kryeministri iu përgjigj gjatë aktivitetit se, “ka disa ditë që është miratuar lista e re e barnave të rimbursueshme edhe ka pak konfuzion, por është duke u shpjeguar përditë. Bashkërisht pas mbledhjes do ta sqarojmë konkretisht për ilaçin konkret që të jap përgjigje të saktë”.
Pas aktivitetit në Kurbin kryeministri Rama telefonoi ministren e Shëndetësisë për të kërkuar konfirmim për ilaçin.

Më pas qytetari shkoi në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ku takoi ministren Ogerta Manastirliu, e cila i shpjegoi se, “ne kemi bërë listën e re të rimbursimit të vitit 2018. Lista e re ka futur shumë barna të reja xhenerike. Dhe ju sipas terapisë së mjekimit mund të zgjidhni të trajtoheni me barna, të cilat janë përfshirë në listën e rimbursimit falas pa bashkëpagesë. Ky është një bar, që është bar patentë. Kurse ne kemi futur barna xhenerikë që janë po aq efikasë. Të gjitha barnat që janë në listën e barnave janë cilësorë, të regjistruar. Do të shkojmë tek mjekja që ju ndjek për t’iu shpjeguar veprimin”.
Ndërsa doktoresha Adriana Babameto, i sqaroi pacientit se, “tashmë mund të përdorë barna xhenerikë që janë falas, të cilët efektin dhe dozën e kanë njëlloj si barnat e parë. Unë them që ty të duhet bari tenofovir dhe ti ke tri alternativa sot që kanë barin Tenofovir”.
Kryeministri Rama duke shpërndarë videon thekson se “me këtë episod që nisi në takimin e llogaridhënies në Kurbin e përfundoi në zyrën e ministres në Tiranë, sqarohet edhe kushdo që është i interesuar të dijë për listën e re të barnave të rimbursueshme”.
/gj.mima/ /a.g/






















