TIRANË, 4 maj/ATSH/-Shkollat e Nju Jorkut ofrojnë mësim në gjuhë të ndryshme për gjithe ata qe jetojnë në SHBA dhe nga dje, në mënyrë zyrtare është njoftuar se pjese e listës së gjuhëve është tashme edhe gjuha shqipe.
“New York Post” raporton se janë 60,000 banorë shqiptare që jetojnë në Nju Jorku, më shumë se çdo shtet tjetër, sipas një studimi të Qendrës së Harvardit për Zhvillimin Ndërkombëtar të bërë në vitin 2015.
Më shumë se gjysma banojnë në New York City, ne lagjet Bronx, Pelham Parkway, Morris Park, Bedford Park dhe Belmont. PS 105 në Morris Park do të jetë shtëpia e programit të parë të dyfishtë mësimor shqiptaro-anglisht. Këshilltari i Bronksit Mark Gjonaj, tha se është krenar që ka punuar për vendosjen e programit të ri. Mësimi i gjuhës shqipe në shkollat e New Yorkut do të nisë në shtator të këtij viti.
Zyrtari shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ka punuar për këtë iniciativë, Mark Gjonaj e ka konsideruar jo vetëm krenari që gjuha shqipe futet në shkollat e Nju Jork por edhe një shkrirje të diversitetit kulturor dhe etnik.
“Jam shumë i kënaqur dhe krenar që programi i gjuhës shqipe, i pari në Nju Jork dhe SHBA do të jetë një realitet në shtator 2018, në P.S.105 në Bronx. New York City është “tenxhere” e shkrirjes së diversitetit etnik dhe kulturor dhe jam krenar si një zyrtar i zgjedhur shqiptar amerikan, që kam punuar në këtë iniciativë. Përshëndes Departamentin e Arsimit të Nju Jorkut për përkushtimin e tyre për të mbështetur programe që reflektojnë diversitetin dhe strukturën e këtij qyteti të madh”, ka përfunduar Gjonaj.
z.tosku /a.g/























