PRISHTINË, 16 prill/ATSH/.- “Ndërtimi i paqes dhe stabilitetit është në dobi të të gjitha palëve dhe e gjithë Europa Juglindore e ka vendin në Bashkimin Evropian”, deklaroi sot në Prishtinë Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov.
Gjatë një takimi me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Borissov theksoi se “Bashkimi Europian është i hapur për vendet e Evropës Juglindore. Sigurisht, këto vende duhet të plotësojnë kushtet që ka vënë BE-ja për anëtarësim”.
Duke folur për zhvillimin e rajonit, kryeministri bullgar ka theksuar nevojën që të ndërtohet infrastruktura që do të lidhë më mirë vendet e Evropës Juglindore me njëra-tjetrën dhe me tërë kontinentin, bën të ditur zyra e shtypit e presidencës kosovare.
“Duke ndërtuar infrastrukturën, ndihmojmë zhvillimin dhe paqen në rajon”, u shpreh kryeministri Borissov.
Presidenti Hashim Thaçi u shpreh se “diskutuam për rrugën europiane të Kosovës dhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve. Sa i përket politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian dhe rrugës së integrimit europian të vendit tonë jemi të një mendimi që kjo është rruga e vetme si për ne, ashtu edhe për BE-në. Pra Kosova të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Ishte konstatim i dyanshëm se BE do të jetë e plotë kur Kosova dhe Europa Juglindore të jetë pjesë e saj. Kjo nënkupton paqe, stabilitetit dhe mirëqenie të gjithanshme”, tha Thaçi.
Thaçi dhe Borissov biseduan për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe për perspektivën europiane të Kosovës dhe vendeve të Europës Juglindore.
“Ardhja e kryeministrit Borissov në Kosovë është një nder i dyfishtë për ne, sepse përveç faktit që ai përfaqëson shtetin mik Bullgarinë, njëherësh përfaqëson edhe presidencën bullgare të BE-së:, theksoi Thaçi.
Kreu i shtetit të Kosovës u shpreh se “ne diskutuam për rrugën europiane të Kosovës, të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve tona”.
Thaçi foli edhe për strategjinë e re të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku është ritheksuar perspektiva e të gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ai e falënderoi kryeministrin bullgar për punën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të Bullgarisë si kryesuese e Presidencës së Këshillit të BE-së, që me të drejtë i ka vënë rëndësinë e duhur zgjerimit, duke e vënë si një nga prioritetet.
Duke folur për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi tha se Kosova kërkon jo vetëm që të vazhdojë dialogu me Serbinë, por edhe ta kthejë atë në një proces të mirëfilltë të pajtimit dhe të ndërtimit të paqes së qëndrueshme në rajon.
Presidenti Thaçi shtoi se Samiti i Sofjes do të jetë një mundësi e mirë për tërë rajonin.
“Samiti i Sofjes është një mundësi unike në mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, tha presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi e nderoi kryeministrin Borissov me Medaljen Presidenciale Jubilare, si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për ndihmën që populli bullgar dhe Bullgaria kanë dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. /k.s/































