Ballina Bota

“The Times” përfshin Shqipërinë mes destinacioneve për pushime në pranverën e vitit 2027

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/- Me afrimin e muajve të ftohtë dhe shkurtimin e ditëve, dëshira për të kaluar disa ditë pushimi në një mjedis me më shumë diell, ajër të pastër dhe kushte më të favorshme klimatike, bëhet gjithnjë e më e madhe, shkruan Sean Newsom në një artikull të botuar në median britanike “The Times”.

Për këtë arsye, ekspertët e udhëtimit kanë përzgjedhur 12 destinacione, që ofrojnë mundësi të ndryshme për pushime, duke filluar nga qëndrimet në hotele komode në Cornwall dhe resortet luksoze në Tenerife, deri te turet turistike në Amerikën e Jugut.

Ndryshimi i orës fundjavën e kaluar, kur akrepat u kthyen 60 minuta pas, u dha shumë njerëzve mundësinë të përfitonin nga një orë më shumë gjumë.

Megjithatë, ardhja më e hershme e errësirës, që tashmë bie rreth orës 17:00, ka rritur dëshirën për të kaluar më shumë kohë në ambiente të hapura dhe për të shijuar rrezet e diellit.

Shëtitjet në natyrë, udhëtimet drejt destinacioneve me klimë më të ngrohtë dhe qëndrimet në vende me mot më të thatë, janë disa nga alternativat që mund të ofrojnë një shkëputje nga rutina e përditshme.

Në këtë kuadër, përzgjedhja përfshin 12 paketa pushimesh, disa prej të cilave mund të realizohen gjatë javëve të ardhshme, ndërsa të tjerat ofrojnë mundësinë e rezervimeve paraprake për periudha të mëvonshme.

Përveç larmisë së destinacioneve dhe përvojave turistike, destinacionet dallohen edhe për uljet e konsiderueshme të çmimeve, duke i bërë udhëtimet më të përballueshme për turistët.

Në mesin e 12 ofertave turistike të përzgjedhura renditet edhe Shqipëria, e cila rekomandohet si një destinacion për një udhëtim shtatëditor në pranverë, me mundësi për të zbuluar trashëgiminë kulturore dhe bukuritë natyrore të vendit.

Udhëtim në Shqipëri në pranverë

Fundi i muajit prill, konsiderohet një periudhë e përshtatshme për të vizituar Shqipërinë, pasi temperaturat janë mjaft të favorshme për të shijuar aktivitete në ambiente të hapura, ndërsa peizazhi natyror karakterizohet ende nga lulëzimi pranveror.

Për më tepër, vizita në këtë periudhë, përpara nisjes së sezonit të lartë turistik, u mundëson turistëve të eksplorojnë atraksionet e vendit në një atmosferë më të qetë dhe larg fluksit të madh të vizitorëve gjatë verës.

Ndër destinacionet që përfshihen në këtë përvojë turistike janë, qyteti antik i Apolonisë dhe Kalaja e Beratit, dy prej vendeve me rëndësi historike dhe kulturore në Shqipëri.

Këto atraksione janë pjesë e turit të organizuar shtatëditor “Albania Discovered”, që ofrohet nga agjencia britanike e udhëtimeve “Travelsphere”.

Përgjatë këtij itinerari, vizitorët do të kenë mundësi të njihen me trashëgiminë historike dhe kulturore të vendit, si dhe të vizitojnë bregdetin e Jonit përgjatë Rivierës Shqiptare.

Paketa përfshin shtatë netë akomodim me mëngjes dhe fluturimet, ndërsa çmimi është ulur me 15%, duke arritur në 1,479 paund për person.

Në përzgjedhjen e 12 ofertave të udhëtimit përfshihen destinacione në Britaninë e Madhe, vende të ndryshme të Evropës dhe disa prej rajoneve më të largëta të botës, duke ofruar mundësi për pushime nga qëndrimet relaksuese pranë detit dhe udhëtimet kulturore deri te aventurat në natyrë.

Britani e Madhe

1. Cornwall, Britani e Madhe

2. Lundrim rreth Britanisë së Madhe dhe Irlandës

3. South Downs, Angli

Evropë

4. Tenerife, Spanjë

5. Tignes, Francë

6. Venecia, Itali

7. Vjenë, Austri

8. Shqipëri

Destinacione të largëta

9. Amerika e Jugut

10. Vietnam

11. Barbados

12. Maldive     //a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAbdul El-Sayed fiton garën në Michigan, bëhet senatori i parë mysliman në historinë e SHBA-së
Artikulli tjetërBERLIN – Humbja e republikanëve në Kongres, Gjermania kërkon të forcojë marrëdhëniet me të dyja partitë amerikane