Ballina Ekonomi

FOTO/ Durrës, ankorohet anija e shtrimit të tubave për projektin TAP

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ – Ankorohet në portin e Durrësit, në kalatën 4 anija e specializuar për shtrimin e tubave të gazit “Castoro 10”, e cila në kuadër të projektit TAP do të punojë në pjesën detare nga afërsia e grykëderdhjes së Semanit deri në Otranto (Itali).

Mjeti lundrues pa motor me gjatësi 139 metra dhe 31 metra i gjerë kishte mbërritur dy ditë më parë në radën portuale, i ngarkuar mbi anijen platformë-dok lundrues “Dockwise White Marlin” me gjatësi 217 metra dhe gjërësi 63 metra, një nga anijet e pakta të këtij lloji që shërbejnë në dete, sipas pilotit Lulzim Hate.

Operacioni i komplikuar, që u drejtua nga piloti Hate filloi në distancën prej afro 4 milje detare larg portit dhe zgjati disa orë. Përveç dy rimorkiatorëve “Adriatik” dhe “Epidamn”, ekuipazhi i të cilëve bashkëpunoi nga afër me atë të anijes “Castoro 10”, gjatë hyrjes në basenin portual, mjeteve iu bashkua edhe rimorkiatori “Epidamn 2”.

Një mision i kryer me sukses nga kapiteni i “Adriatikut”, Petrit Cila dhe ndihmësit e tij, Iliri dhe Gjergji, së bashku me marinarët e tjerë me mjaft përvojë në shërbimet detare. /a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDUBLIN – Irlanda legalizon abortin
Artikulli tjetërSHBA, program shkëmbimi kulturor për muzikantët nga Shqipëria