TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Sot, mbushen plot 10 vite nga krijimi për herë të parë i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se në këto 10 vite Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura është konsoliduar si model dinjitoz i menaxhimit të zonave të mbrojtura ndër vendet e rajonit.
“Një institucion i cili na bën krenarë për punën që bën çdo ditë së bashku me stafet e 12 administratave rajonale që kujdesen për parqet kombëtare, natyrore, monumentet e natyrës, peizazhet, biodiversitetin duke promovuar vlerat tona natyrore e orientuar kah zhvillimit të qëndrueshëm me vëmendjen tek komunitetet lokale”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “në këto 10 vite Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura është konsoliduar si model dinjitoz i menaxhimit të zonave të mbrojtura ndër vendet e rajonit, ndërsa anëtarësimi në Unionin Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës dhe bashkëpunimet me Programin Mjedisor të Kombeve të Bashkuara i shtojnë vlerat përpjekjeve tona për mbrojtjen e mjedisit natyror dhe zhvillimit të qëndrueshëm”.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) u krijua me Vendim të Këshillit të Ministrave më 4 shkurt 2015. Fokusi kryesor i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) është ruajtja dhe zhvillimi i zonave të mbrojtura dhe i natyrës në Shqipëri.
Ndër detyrat kryesore të AKZM-së përfshihen: udhëheqja, drejtimi, organizimi dhe kontrolli i vazhdueshëm i strukturave të zonave të mbrojtura që ka në varësi; aktualizimi dhe përmirësimi i përmbajtjes së mbrojtjes e të menaxhimit të zonave, nëpërmjet kultivimit të koncepteve, praktikave e skemave bashkëkohore që përdoren nga vendet e përparuara; menaxhimi dhe administrimi i rrjetit të zonave të mbrojtura, habitateve dhe llojeve natyrore e gjysmënatyrore me interes të ruajtjes, në përputhje me legjislacionin mjedisor shqiptar në fuqi, si dhe me konventat e marrëveshjet ndërkombëtare mjedisore; krijimi dhe zbatimi i sistemit dokumentar të formatuar e të standardizuar, me të cilin punojnë strukturat menaxhuese të zonave të mbrojtura në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë; krijimi i Skedarit, Portalit dhe Databazës Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, si pjesë e veçantë e Portalit, Skedarit Kombëtar të Mjedisit.
/k.s/j.p/






















