Ballina Aktualitet

Atentat në autostradën Fier-Vlorë, vritet me armë zjarri 30-vjeçari

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Një 30-vjeçar është vrarë me armë zjarri në autostradën Fier-Vlorë, në afërsi të fshatit Novoselë.

Policia njofton se “rreth orës 18:15, në afërsi të fshatit Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin K. M., 30 vjeç, i cili ka humbur jetën”.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të Policisë së DVP Vlorë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.

Policia bën të ditur se vijon krehja e zonës dhe kontrollet për kapjen e autorëve.

“Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njofton Policia.

Policia njofton se në vijim të veprimeve hetimore lidhur me vrasjen e 30-vjeçarit është gjetur i djegur automjeti tip “Volkswagen Golf”, i dyshuar i përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje.

“Nga verifikimet paraprake, rezulton se targat e automjetit tip “Golf” janë denoncuar të vjedhura më herët”, njofton Policia.

Sipas Policisë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore dhe këqyrjen e automjetit të djegur për të siguruar çdo gjurmë që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalla, thirrje diasporës: Ne e mbajtëm fjalën që ju të votoni, na mbështesni
Artikulli tjetërBalluku: Janë riparuar 90% e defekteve, rikthimi i energjisë në rreth 81% të konsumatorëve të prekur