UASHINGTON, 10 janar /ATSH/- Avokatët e TikTok-ut dhe krijuesit e përmbajtjes së platformës kanë argumentuar përpara Gjykatës së Lartë se ligji që parashikon ndalimin e medias sociale shkel lirinë e fjalës së rreth 170 milionë përdoruesve të saj amerikanë, sipas BBC.
Vetëm nëntë ditë përpara se TikTok-u të ndalohet në të gjithë SHBA-në, Gjykata e Lartë dëgjoi argumentet përfundimtare nga të gjitha palët në seancën e sotme.
“TikTok-u do të mbyllet në të gjithë SHBA më 19 janar nëse ligji zbatohet”, sipas avokatit të gjigantit të medieve sociale, Noel Francisco.
Francisco nxiti gjykatën të shqyrtonte mjete alternative në vend të një ndalimi të plotë.
Sipas tij, ky vendim do të shkelte të drejtën e fjalës së lirë të amerikanëve.
“Krijuesit e përmbajtjes në Amerikë, kanë të drejtë të punojnë me botuesit sipas zgjedhjes së tyre”, tha avokati Jeffrey Fisher.
Ai tha se TikTok-u ishte veçuar dhe se faqja nuk mund të zëvendësohej lehtë nga një konkurrent i ri.
Elizabeth Prelogar, avokatja e qeverisë amerikane, tha se Kina mund ta përdorë TikTok-un si mjet në çdo kohë – për të dëmtuar SHBA-në.
Ajo argumentoi se TikTok-u përbënte një “kërcënim të madh” për sigurinë kombëtare – për shkak të rreziqeve të paraqitura nga lidhjet midis kompanisë mëmë të faqes, ByteDance, dhe Kinës.
Avokatja tha se Kina kishte një “oreks” për informacion mbi amerikanët dhe sugjeroi që ndalimi i TikTok-ut do ta godiste.
Nëntë gjyqtarët pritet të vendosin për këtë çështje në ditët në vijim.
Ligji, i miratuar nga Kongresi vitin e kaluar, kërkon që ByteDance të shesë TikTok-un në SHBA ose të ndërpresë veprimtarinë më 19 janar – një ditë përpara se presidenti i sapozgjedhur Donald Trump – i cili ka kundërshtuar vendimin për ndalimin e platformës – të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. //a.i/






















