Ballina Bota

ROMË – Dhoma e Ulët e parlamentit italian miraton zbatimin e marrëveshjes Shqipëri-Itali për sigurimet shoqërore

ROMË, 8 janar /ATSH-ANSA/- Dhoma e Ulët e parlamentit italian miratoi sot ratifikimin dhe zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Italisë dhe Republikës së Shqipërisë për sigurimet shoqërore, të nënshkruar në Romë më 6 shkurt 2024.

Marrëveshja rregullon përfitimet e pensioneve dhe përfitimet e papunësisë dhe atyre që ushtrojnë ose kanë ushtruar një aktivitet si të punësuar ose të vetëpunësuar në të dy shtetet.

Mbi 500 000 shqiptarë andej dhe këndej detit, pritet të përfitojnë nga miratimi i ratifikimit dhe zbatimit të marrëveshjes.

Geri Ballo, aktiviste e Diasporës shqiptare në Itali, e cila ka bërë të njohur kauzën e pensionistëve shqiptarë tek politikëbërësit italianë, duke nxitur mobilizimin e komunitetit shqiptar në Itali për ta fituar këtë të drejte në një prononcim për ATSH, dha detaje mbi procesin e miratimit të plotë të marrëveshjes.

Ballo ishte e pranishme sot ne sallën e parlamentit italian, ku kontributi i dhënë prej saj u përmend si nga mazhoranca, që e duartrokiti, dhe nga opozita, që përmendi peticionin me mijëra firma – të lançuar nga ajo para disa vitesh.

“Me miratimin në Dhomën e Ulët të parlamentit italian pr/ligji kalon në Senat, që është Dhoma e Lartë e parlamentit të Italisë. Ne si komunitet do të bëjmë çmos që ta shpejtojmë procesin në Senat. Për t’u miratuar në Dhomën e Ulët të parlamentit u deshën rreth gjashtë muaj, dhe ajo që duam është që në Senat të kaloj më shpejt se kaq. Do të bëhet e pamundura, duke u takuar me përfaqësues të komisionit të jashtëm, të gjithë ata që do të jenë të ngarkuar me këtë çështje në Senat”, tha ajo.

“Çfarë ndodh konkretisht? Kur të kalojë në Senat, do të quhet e miratuar përfundimisht, e ratifikuar plotësisht. Marrëveshja u nënshkrua më 6 shkurt 2024, nga ministri italian Antonio Tajani dhe atij shqiptar, Igli Hasani. Që prej momentit të nënshkrimit të marrëveshjes nis dhe procedura e ratifikimit, pra rrugëtimi parlamentar për t’u miratuar dhe hyrë në fuqi. Nga kjo marrëveshje përfitojnë shumë persona. Mijëra shqiptarë çdo vit që dalin në pension do të përfitojnë vlerën ekonomike totale të kontributeve të tyre duke mbledhur kontributet në Shqipëri dhe Itali”, theksoi ajo.

“Sot shumë prej tyre, ndonëse kanë shumë vite kontribute në Itali, nuk e përfitojnë pensionin, në Itali duhet të kesh minimalisht 20 vite pune kontribute për ta përfituar. Kemi një numër të madh shqiptarësh, një gjeneratë e tërë, që nuk arrijnë t’i plotësojnë 20 vitet e punës në Itali. Kur këto dy periudha kontributesh të bashkohen, pra në Shqipëri dhe Itali, atëherë vitet janë plotësuar. Dy institutet e sigurimeve shoqërore, ISSH dhe INPS, që nga nënshkrimi i marrëveshjes, janë të angazhuara nga pikëpamja teknike për të zbardhur historikun e kontributeve të shqiptarëve dhe italianëve që kanë patur kontribute si në Itali, ashtu dhe në Shqipëri”, përfundoi Geri Ballo. //a.i/ A.f

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakU padit për shpifje nga OSHEE, Gjykata e Posaçme shpall të pafajshëm Bardhin
Artikulli tjetërHoxha inspektim tek IdentiTek: Përgjysmohet koha e pajisjes me dokumente për diasporën