TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Qeveria miratoi kontratën e koncesionit me bashkimin e operatorëve ekonomikë “Gener 2”, “Illyrian Consulting Engineers”, dhe “I.D.K – Konstruksion”, për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit rrugor Milot-Thumanë, 13,5 km i gjatë.
Gjurma e kësaj rruge fillon pranë nyjës së Milotit dhe përfundon pranë rrethrrotullimit të Thumanës.
Ky segment ekzistues është një karrexhatë me dy korsi dhe me dy sense lëvizjeje 2×2 (A1), me një trafikndarëse dhe korsi emergjence.
Kjo rrugë do të përmirësohet në një autostradë të plotë të Kategorisë A, së bashku me rrugët e shërbimit dhe sistemet e nevojshme ITS.
Kohëzgjatja e kontratës koncesionare/PPP do të jetë 35 (tridhjetë e pesë) vjet nga hyrja në fuqi e saj.
Korridori Adriatiko – Jonian (AIC) është identifikuar si pjesë e Korridorit TEN-T Mesdhetar, duke shtrirë korridorin kryesor të rrjetit të BE-së në Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjatësia e vlerësuar e të gjithë Korridorit e Mesdheut eshte rreth 1550 km.
Në Ballkanin Perëndimor, korridori kalon nëpër Mal të Zi dhe Shqipëri, afërsisht 20% e gjatësisë totale ose rreth 300 km. Krijimi i rrjetit që synon të forcojë sigurinë në rrugë, planifikimin e transportit, lidhjen rajonale, lëvizjen, konkurrencën dhe integrimin me rrjetin TEN-T të BE-së.
/a.f/r.e/























