TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Në mbledhjen e ditës së sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, “mbi rregullat për numërimin dhe vlerësimin e votave nga jashtë, dokumentacionin përkatës dhe mënyrën e plotësimit të tij, si dhe tabelimin e rezultatit të votimit nga jashtë”, pati diskutime mes përfaqësuesve të forcave politike, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Vendimi i paraqitur në Komisionin Rregullator nga Kryekomisioneri Ilirian Celibashi parashikon që vota e diasporës të numërohet nga administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vendimi pritej të miratohej sot, por palët nuk gjetën dakortësinë. Vendimi u shty për vitin e ardhshëm.
Ilirjana Nano, kryetare e Komisionit Rregullator pranë Komisionit Qendror Zgjedhor sqaroi se ky propozim i Kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, është bazuar në Kodin Zgjedhor, ku thuhet se zarfet me vota nga jashtë, numërohet nga administrata e KQZ.
Por, PD kërkoi që votat nga jashtë, të trajtohen njësoj me votat brenda vendit, kurse PS nuk është kundër numërimit nga KQZ, por ka vërejtje për vëzhguesit e partive dhe rolin e tyre në proces.
“Në asnjë germë nuk i jepet leje kreative KQZ-së që të shpikë një proces të ri, teksa Kodi Zgjedhor ka rregulla për të gjithë procesin. Nuk jeni të autorizuar të shpikni procedurë krejt të re, ndryshe nga ajo e shqiptarëve që votojnë brenda vendit. Të jetë e njëjtë si brenda vendit”, tha Kaso.
Ilirjana Nano, kryetare e Komisionit Rregullator, u shpreh se “PS e PD duhet t’i kishin sjellë mendimet me shkrim. Janë pyetur në 12 nëntor”.
Mungesa e dakordësisë bëri që mbledhja e Komisionit Rregullator të mbyllej pa vendimmarrje dhe për vendndodhjen se ku do të numërohen votat e diasporës.
Projektvendimi i KQZ i cakton Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike vetëm rol vëzhguesi në tavolinat ku do të hapen zarfet që vijnë nga diaspora, ndërkohë që numërimi i votave nga jashtë i lihet në dorë njerëzve jo politikë, të cilët do të përzgjidhen nga KQZ.
/r.e/a.f/






















