TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka bërë progres në përdorimin e inteligjencës artificiale për sa i përket procesit të integrimit evropian në aspektin legjislativ.
“Po ashtu e kam thënë në mënyrë të përsëritur kemi bërë hapa të rëndësishëm për sa i përket Inteligjencës Artificiale. Me Inteligjencën Artificiale ne po punojmë, është pjesë e punës për transferimin e të gjithë të ashtuquajturës “trupa ligjore e BE-së” në “trupën ligjore të Republikës së Shqipërisë” që do të thotë teknikisht, kryerje e gjithë procesit të integrimit në aspektin legjislativ për të cilin vende të tjera më parë, kanë angazhuar armata të tëra përkthyesish, draftuesish, ndërkohë që ne këtë punë e bëjmë 90% me Inteligjencën Artificiale”, tha Rama.
Në konferencën e fundvitit me gazetarë, Rama u shpreh se inteligjenca artificiale do të përdoret edhe në prokurimet publike.
“Nga ana tjetër jemi në fazën që po vazhdojmë të përgatisin modelin e prokurimit me inteligjencën Artificiale që do të jetë një tjetër inovacion dhe më këtë do të jemi avangard, pasi ky është një problem që ne e kemi pasur historikisht tradicionalisht, pasi angazhimi i mijëra e mijëra punonjësve të administratës nëpër komisione prokurimesh, është nga njëra anë një mund i madh, një shpenzim i madh energjish dhe një konsum disproporcional i burimeve njerëzore por nga ana tjetër nuk është garanci për një standard plotësisht evropian në kuptimin e BE-së të prokurimeve publike”, theksoi Rama.
Ai shtoi se çështja e prokurimeve është një çështje që duket shumë e lehtë kur e merr një procedurë dhe e komenton në TV, por është një çështje shumë teknike, që njerëzit që e ekzekutojnë duhet të kenë jo vetëm integritetin por edhe përgatitjen juridike.
Kreu i qeverisë theksoi se duhet të vendoset teknologjia digjitale si një armë për të përmirësuar procese më të thella sesa thjesht dhënia e shërbimeve.
“Besoj se hapi i parë që hodhëm me krijimin e një institucioni të ri të prokurimeve të një Operatori që bën Prokurimet për të gjitha ministritë për të gjitha institucionet qendrore, lajmi është që nuk bëhen më tendera nga ministritë dhe operatori që është krijuar këtë vit dhe që është futur në funksion do të vazhdojë të marrë në dy vitet e ardhshme të gjithë volumin e prokurimeve në Republikën e Shqipërisë kështu do të shpëtojmë nga të gjitha spekulimet dhe lojërat që bëhen dhe që kalojnë nga portali në portal, nga kanali në kanal, e nga puseta në pusetë, sepse nuk do të jetë më objektivisht e mundur që të merren dhe të bëhen copë rrugëve njerëz duke iu tundur letra të cilat për shumëkënd janë arabisht nuk janë shqip në kuptimin e procedurave”, tha Rama.
Rama nënvizoi se jemi në vendin e parë për prokurimet publike në rajon.
“Shqipëri ka 80 pikë nga 100 të mundshme në vlerësimin analitik me fakt të proceseve të prokurimeve publike, ndërkohë që vendi i dytë është diku me 71-72 pikë. Për këtë arsye mbështetja e vazhdueshme e administratës është kyçe” tha Rama. /j.p/























