TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave, miratoi disa shtesa dhe ndryshime në përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës mujore të përfitimit të ndihmës ekonomike dhe përdorimit të fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike.
Sipas këtij vendimi, për familjet përfituese në skemën e ndihmës ekonomike, anëtarët madhorë orientohen me prioritet drejt programeve të nxitjes së punësimit, riintegrimit social dhe punëve publike në komunitet, me qëllim fuqizimin e familjes dhe riintegrimin e saj në shoqëri.
Anëtarit të familjes përfituese të ndihmës ekonomike, të përfshirë në këto programe punësimi, nuk i llogaritet masë përfitimi e ndihmës ekonomike sipas strukturës së familjes. Në të ardhurat e familjes nuk llogariten pagesat e anëtarëve që ndjekin formimin profesional, të ardhurat nga bursat e fëmijëve që ndjekin arsimin profesional dhe të ardhurat e fëmijëve të angazhuar në arsim dhe në formimin profesional në formën e dyfishtë.
Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, monitoron ecurinë e ndjekjes së programeve nga përfituesit, përmes ndërveprimit të Regjistrit Elektronik Kombëtar të ndihmës ekonomike dhe Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Punësimit, si dhe në përputhje me mekanizmin e referimit për punësimin dhe integrimin social të individëve në moshë aktive pune, përfitues të skemës së ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar, të miratuar çdo vit nga ministri përgjegjës për çështjet sociale dhe ministri përgjegjës për çështjet e punësimit.
Gjithashtu vendimi parashikon që për familjet në nevojë, që në përbërje të tyre kanë invalidë pune apo persona me aftësi të kufizuara, që përfitojnë pagesë për aftësinë e kufizuar. Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror merr vërtetimin e komisionit të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, nëpërmjet ndërveprimit me Regjistrin Elektronik Kombëtar të Aftësisë së Kufizuar.
Ndërsa familjet në nevojë, që në përbërje të tyre kanë anëtarë madhorë, paraqesin dy herë në vit vërtetimin për hyrje-daljet nga territori shqiptar, të lëshuar nga portali “e-Albania”.
Për fëmijët e familjeve në nevojë, prindërve me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë, dhe jetimët, të cilët ndjekin arsimin bazë, vërtetimi për ndjekjen e shkollës për të përfituar pagesën shtesë merret me ndërveprim nga Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar.
Administratori shoqëror identifikon familjet e individët në nevojë, i informon për regjistrimin si punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës dhe për të vijuar me procedurat e punësimit përpara aplikimit për përfitimin e ndihmës ekonomike. Administratori shoqëror hedh në Regjistrin Elektronik Kombëtar, të dhënat për familjet që aplikojnë për herë të parë për ndihmë ekonomike. Aplikimi vlerësohet nëpërmjet Regjistrit Elektronik Kombëtar pas ofrimit nga zyra e punës të ofertave të përshtatshme të punësimit për anëtarët madhorë të familjeve aplikuese, të gatshëm për punë, por jo më vonë se deri në fund të muajit të aplikimit.
Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror, për familjet që aplikojnë për herë të parë, kryen verifikimin në terren pas vlerësimit social-ekonomik të kryer nga administratori shoqëror.
Ngarkohen të gjitha organet e administratës shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
/r.e/





















