BRUKSEL, 26 dhjetor /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian, tha se një anije mallrash që hetuesit dyshojnë se mund të ketë dëmtuar qëllimisht një kabllo energjie që lidh Finlandën me Estoninë, është pjesë e flotës së Rusisë.
Autoritetet finlandeze hipën sot në anijen-cisternë “Eagle S” që transportonte nafte në Detin Baltik – si pjesë e një hetimi pas dëmtimit të një kablloje nënujore EstLink2, një ditë më parë.
“Ne dënojmë fuqishëm çdo shkatërrim të qëllimshëm të infrastrukturës kritike të Evropës”, thuhet në një deklaratë të komisionit.
“Anija e dyshuar është pjesë e flotës së Rusisë, e cila kërcënon sigurinë dhe mjedisin, ndërsa financon buxhetin e luftës së Rusisë. Ne do të propozojmë masa të mëtejshme, duke përfshirë sanksione, për të synuar këtë flotë”, tha Komisioni Evropian.
Sipas hetuesve, dëmtimi i kabllit mund të ishte shkaktuar nga anija duke tërhequr qëllimisht spirancën e saj.
Presidenti finlandez, Alexander Stubb sugjeroi më herët se anija e mallrave është pjesë e flotës ruse – anije që Rusia i përdor jozyrtarisht për të anashkaluar sanksionet – për të shpërndarë naftën e saj në vende të tjera. //a.i/




















