TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot gjatë ceremonisë së ndarjes së “Medaljeve të Arta” për gjimnazistët ekselentë të vendit, se ata janë në majë të arritjeje të jashtëzakonshme në jetën e tyre, falë përpjekjeve dhe sakrificave të tyre.
“Këto janë pak fjalët që unë ndaj me ju sot, duke bërë fjalimin më të shkurtër nga gjithë tjetër, gjë që nuk më karakterizon, sepse nuk dua të iki pa dorëzuar 188 medaljet për ju. Ju falënderoj me gjithë zemër, sepse më frymëzoni! Kur mendoj ato që thashë dhe ju jeni këtu në majë të një arritje të parë të historisë suaj për të marrë medaljen e artë, pasi keni refuzuar çdo lloj justifikimi para çdo lloj vështirësie, unë them me vete “edhe unë mund t’ia dal”. Kur të dilni nga kjo sallë do ndjeheni pak të lodhur, duhet ta dini që është energjia që unë kam marrë nga ju për veten time. Qeshni, po besojeni! Nuk na ndodh shpesh, ndodh rrallë që të gjendemi në kushtet ku mund të marrim kaq shumë energji dhe nëse unë mund ta pranoj që nëse ka një rast në kushtet e abuzimit me detyrën është ky. Ju kam ftuar këtu e po ju marr nga energjia juaj”, tha Rama.
Kryeministri Rama e mbylli fjalën e tij me gjimnazistët me inkurajimin: “Koka e fortë, shikimi drejt, ecni përpara! Asgjë nuk ju zmbraps, kini besim! Do zmbrapsni ju gjithçka në rrugën e ambicies suaj, cilado qoftë ajo.”
/e.i/r.e/ /a.g/






















