PRISHTINË, 23 dhjetor/ATSH/ Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk kanë certifikuar sot Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, njofton KosovaPress.
Edhe pse zyra për regjistrimin dhe akreditimin e subjekteve politike rekomandoi që Lista Serbe të certifikohet për zgjedhjet e përgjithshëm, ajo nuk mori votat e duhura për ta kaluar këtë proces.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka diskutuar për certifikimin apo jo të Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ndërkohë, në shenjë proteste, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi lëshoi një video të kryetarit të kësaj liste Zlatan Elek, i cili në një fjalim përmend fjalë si “Kosovo Metohi”, dhe fjali të tjera, duke treguar qëndrimin e Listës Serbe se janë kundër shtetit të Kosovës.
Kurteshi tha se ky subjekt nuk meriton certifikimin.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar me certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, në rend të ditës kanë qenë në votim për t’u certifikuar 17 subjekte politike dhe 674 deputetë, por u miratuam vetëm 16 parti politike.
Edhe përkundër rekomandimit të zyrës së partive politike për certifikimin e subjektit politik Lista Serbe, anëtarët e KQZ-së nuk miratuan certifikimin e këtij subjekt politik për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Ishin dy vota pro, dy kundër, ndërsa anëtarët e tjerë refuzuan të marrin pjesë në votim.
Edhe anëtarët e tjerë nga radhët e opozitës kanë shprehur po të njëjtin mendim.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, ka kujtuar se verifikimi i listave të kandidatëve ka kaluar në disa institucione dhe asnjë prej tyre nuk ka dhënë vërejtje.
Elshani theksoi se edhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë asnjë vërejtje për Listën Serbe.
“Ndaj të njëjtat shqetësime. Abstenoj nga votimi për këtë subjekt politik. Institucionet tona duhet me na tregu kush është Lista Serbe me dokumente e letra. Në qoftë se ata pjesëtarë janë pjesë e këtyre akteve terroriste, është mirë Ministria e Brendshme të merret”, theksoi Elshani.
/KosovaPress/






















