TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Kryetari i grupit të këshilltarëve në bashkinë e Tiranës, Tedi Blushi në një deklaratë për shtyp e cilësoi buxhetin e miratuar dje nga këshilli bashkiak i Tiranës si buxhetin e vjedhjes më të madhe në historinë e kryeqytetit dhe si buxhetin më antisocial që ka njohur ndonjëherë, që godet pensionistët, shtresat në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, qindra familje të varfra, të papunët, të rinjtë dhe të rejat e kryeqytetit.
“Jemi sot në këtë deklaratë për mediat për të bërë publik qëndrimin e mbajtur në mbledhjen e djeshme me dyer të mbyllura si për herë për fat të keq, të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku mediat nuk lejohen të jenë prezent, por që nuk na pengoi ne si Këshilltarë të Partisë së Lirisë në këtë Këshill Bashkiak për të denoncuar me forcë buxhetin e miratuar dje me dhunë, me dhunën e kartonave të Këshilltarëve të “Rilindjes” në Këshillin Bashkiak”, tha Blushi.
Blushi theksoi se buxheti edhe pse ka një vlerë shumë të madhe prej 390 milionë euro, nuk i jep asnjë zgjidhje problemit të strehimit në Tiranë, nuk i jep zgjidhje shkollave me 2 turne, nuk i jep zgjidhje problemit të ujit të pijshëm që mungon sot në kryeqytet në të katërta stinët.
Po ashtu sipas tij, buxheti nuk u jep zgjidhje as problemeve në infrastrukturën rrugore dhe as familjeve të cilat sot jetojnë në kryeqytetin me koston më të lartë të jetesës jo vetëm në rajon, por për nga vlera e shtrenjtimit jo vetëm të banesave por edhe të ushqimeve i krahasueshëm me kryeqytetet më të shtrenjta të Evropës.
“Vitin e ardhshëm për fat të keq dhe për shkak se kryetari ilegjitim i bashkisë së Tiranës vijon të jetë i amnistuar nga organizata kriminale SPAK, nuk parashikon asgjë tjetër veçse vjedhjen dhe gllabërimin e qindra milionë eurove të një buxheti, i cili është ndërtuar me sakrificat, me mundin dhe me gjakun e qytetarëve të Tiranës”, tha Blushi.
Blushi u shpreh se “ndaj është dita për t’i ftuar të gjithë qytetarët e Tiranës që të marrin pjesë masivisht në protestën e thirrur nga Opozita e Bashkuar në datën 23 dhjetor sepse vetëm protestat e fuqishme, vetëm mosbindja civile janë e vetmja rrugë që garanton shkurtimin e ditëve të mbetura të këtij narkoregjimit, që sot mbahet në këmbë edhe falë Narkodrejtësisë”.
/k.s/j.p/























