TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, zhvilloi sot një vizitë pune në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), ku u prit nga Drejtoresha e Përgjithshme, Valbona Zhupa dhe stafi i ATSH-së.
Gjatë takimit, u diskutua mbi sfidat, problematikat, ndryshimet sociale, politike dhe ekonomike, si dhe përparimet teknologjike të dy dekadave të fundit, që së bashku me kontekstin e globalizimit të tregut, e kanë ndryshuar imazhin e lajmit dhe për këtë kërkohet një punë edhe me e madhe në zinxhirin e prodhimit dhe shpërndarjes së lajmeve në vend e më gjerë.
Këtë mision të rëndësishëm dhe të vështirë, sipas deputetëve të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Agjencia Telegrafike e lajmeve është përpjekur ta përmbushë me përkushtim dhe paanshmëri.
Kryetarja e Komisionit Ina Zhupa, tha në krye të herës se: “Ndryshe nga pritshmëritë që ka për një agjenci shtetërore që do të shërbente në psikologjinë popullore si një zgjatim i propagandës së një qeverie, nuk ka ndodhur kjo gjë me ATSH. Ka pasur një balancim në përcjelljen e mesazheve publike duke reflektuar të gjithë pasazhin jo vetëm politik në Shqipëri, por edhe ekonomik dhe social duke i dhënë një hapësirë që vërtetë të jetë një agjenci e besueshme”.
Në lidhje me një kërkesë të drejtueses së ATSH-së, Valbona Zhupa drejtuar Komisionit për hartimin e ligjit për funksionimin e ATSH-së, deputetja Ina Zhupa tha se “pas kërkesës tuaj në lidhje me këtë unë kam angazhuar stafin tim për të më nxjerrë të gjithë legjislacionin që kanë vendet e BE-së, por edhe vendet e rajonit. Ne kemi krahasuar modelin e Bullgarisë, Francës, Greqisë, Italisë, Kosovës, dhe Maqedonisë së Veriut dhe me një grup të përbashkët pune do të gjejmë se kush është mënyra më e mirë që ta kontekstualizojmë me mjedisin shqiptar, me atë që ju bëni konkretisht”.
“Angazhimi ynë është maksimal dhe ju e keni parë edhe në seancat për buxhetin që kërkesat tona ndaj Ministrisë së Financave kanë qenë gjithmonë në mbështetje të kërkesave të ATSH-së edhe si rezultat i pavarësisë që ju keni treguar, keni marrë edhe një bashkërendim edhe nga mazhoranca dhe nga opozita”, përfundoi Ina Zhupa.
Nga ana e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa shprehu falënderimin e saj edhe në emër të stafit për punën dhe mbështetjen që Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik i ka dhënë Agjencisë Telegrafike shqiptare.
Ajo theksoi se falë edhe kësaj mbështetje nga Komisioni dhe Ministria e Financave “ne reflektojmë sot në buxhet një shifër që i është dedikuar digjitalizimit të arkivës, si fazë e parë. Dhe ne mund të fillojmë punën. Ky është një lajm i mirë”.
Sa i përket diskutimeve për hartimin e ligjit, Zhupa e konsideroi një tjetër hap të rëndësishëm për mirëfunksionimin e ATSH-së.
“Lufta më e madhe e agjencisë që unë drejtoj është të ruaj paanshmërinë dhe pavarësinë e mendoj që në këto dy shtylla ku unë kam ngritur punën, jemi përpjekur që të bëjmë më të mirën”, tha ajo.
Nga ana tjetër deputeti i PS-së, Petro Koçi tha se: “Jemi në një agjenci që edhe pse nuk është e pavarur nga shteti, ka një menaxhim dhe performancë të paanshme dhe kjo është shumë e rëndësishme. Jemi në një moment ku kemi dy anë të një medalje, pra kemi një agjenci shtetërore, e cila performon në mënyrë bashkëkohore, por që nga ana tjetër besoj se është një rast unik mendoj unë që funksionon me një ligj që jo vetëm është i vjetër, por që është i një regjimi jo demokratik. Kjo është nga njëra anë edhe meritë e atyre që menaxhojnë aktualisht agjencinë, por edhe mangësi e ligjvënësve. Mirënjohje edhe Drejtoreshës dhe gjithë stafit për këtë realitet që ofron sot që meriton edhe mirënjohjen e opozitës që është një gjë e vështirë të ndodhë në agjenci të tjera. Kështu që komplimente të merituara”.
Gjithashtu, deputeti Koçi përmendi edhe arkivën e ATSH-së duke theksuar se “është një pasuri shumë e çmuar shtetërore publike dhe shumë e rëndësishme për historinë e popullit tonë. Mjafton edhe ato fotot nëpër korridore, foto që nuk i kam parë dikund tjetër mesa duket ka thesare të tjera që vlejnë shumë”.
Ai sugjeroi që të gjenden hapësira për bashkëpunim për ekspozimin e kësaj pasurie në mënyrë që të gjithë, veçanërisht të rinjtë të njihen me arkivën e pasur të ATSH -së, duke njohur më mirë të shkuarën e vendin tonë.
“Kemi një histori të popullit shqiptar që vlen dhe na shërben si frymëzim për të ardhmen qoftë edhe kur leksionet nga e kaluara janë të dhimbshme, por besoj se janë leksione që vlejnë për të ardhmen”, u shpreh Koçi.
Edhe anëtarët e tjetër të Komisionit ritheksuan mbështetjen e tyre ndaj ATSH-së.
“Unë e kam shprehur mendimin tim për ATSH dhe unë mendoj që duhet të jetë një pikë referimi për gjithë punën e saj,”- u shpreh deputetja e PD-së, Andia Ulliri duke sugjeruar që fotot nga arkiva e ATSH-së të jenë prezent në ambientet e Kuvendit dhe posaçërisht në zyrën e Komisionit për Mjetet e Informimit Publik në mënyrë që të gjithë të njihen me arkivin e mrekullueshëm të ATSH-së, duke u bërë pikë referimi edhe për studiuesit, historianët, studentët dhe për gjithë qytetarët.
Deputetja e PS-së, Lindita Buxheli u shpreh se “gjej rastin të ju falënderoj sesi keni punuar dhe ecur. Besoj se ne do mbahemi mend si Komisioni që 34 vite pas rënies së këtij dekreti jemi të gjithë nismëtarë dhe do ngrejmë kartonin ta miratojmë në parlament këtë ligj”.
“Do të keni mbështetjen tonë si Komision dhe i bëj thirrje Kryetares që mos ta lëmë në heshtje dhe të jemi ne ata që ta çojmë përpara dhe ta përfundojmë gjithë këtë nisëm”, tha nga ana e saj, deputetja e PD-së, Eralda Bano.
Deputeti i PD-së, Andrea Mano vuri theksin tek prezenca më e madhe e fondit të artë të Agjencisë.
“Duhet ta reklamoni edhe më shumë punën tuaj si një institucion shumë i rëndësishëm. Të jeni prezent me fotot tuaja jo vetëm në institucione shtetërore, por edhe përmes ekspozitave lëvizëse në qytete të ndryshme apo në universitete të vendit”.
Pas takimit, anëtarët e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vizituan ambientet e ATSH-së si dhe arkivën historike të institucionit e cila numëron rreth 250 000 foto që datojnë që nga viti 1945. Një foto familjare përmbylli këtë vizitë të rëndësishme.
/k.s/ /a.g/




































