KAJRO, 11 dhjetor /ATSH-DPA/- Katari tha sot se do të rihapë ambasadën e tij në Siri, më shumë se 13 vjet pas mbylljes së saj.
“Doha do të rihapë ambasadën e saj në Siri së shpejti – pas finalizimit të marrëveshjeve të nevojshme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Majed al-Ansari.
Që nga viti 2011, aleatët e presidentit të rrëzuar Bashar al-Assad mbajtën ambasadat e tyre që operonin në Damask – kryesisht Irani dhe Rusia – ndërsa shumica e qarqeve perëndimore dhe disa shtete arabe i mbyllën.
Emiratet e Bashkuara Arabe rihapën ambasadën e tyre në vitin 2018.
Katari mbylli ambasadën e tij në korrik 2011, pasi një grup pro-al-Assad sulmoi ndërtesën për të protestuar ndaj mbulimit të rrjetit Al Jazeera në pronësi të Katarit – për shtypjen e protestave nga al-Assad, e cila u shndërrua në një luftë civile.
Në vitet në vijim, Katari mbështeti rebelët e opozitës në luftën e tyre kundër al-Asadit.//a.i/






















