MOSKË, 11 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin dhe kryeministri hungarez Viktor Orban zhvilluan sot një bisedë telefonike ku diskutuan luftën në Ukrainë – pas një kërkese të palës hungareze, thanë sot zyrtarët e Kremlinit.
Orban deklaroi gatishmërinë e tij për të kontribuar në përpjekjet politike dhe diplomatike dhe për të gjetur një zgjidhje për konfliktin e vazhdueshëm.
Ai tha se mund të përdorte kontaktet e tij me politikanët perëndimorë.
“Putini tha se Kievi po ndjek një qasje destruktive dhe po vazhdon të përjashtojë çdo mundësi për një zgjidhje paqësore”, tha Kremlini.
Orban më vonë postoi në faqen e tij në Facebook se Hungaria do të përdorte të gjitha mjetet diplomatike për të arritur një armëpushim.
Sipas analistëve, biseda telefonike nuk ka patur ndonjë rezultat të prekshëm.
Pavarësisht pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Orban mban kontakte të ngushta me Moskën.
Ai bëri një vizitë të papritur në Moskë, në korrik – në fillim të presidencës hungareze të Këshillit të BE-së – duke u kritikuar nga kolegët e BE-së që treguan solidaritet me Kievin. //a.i/























