TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Transformimi i shpejtë i Shqipërisë në rrugën integruese dhe në mënyrë të veçantë ecuria shumë pozitive e sektorit të turizmit ishin në qendër të takimit që Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela zhvilloi me Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Shqipëri, Tayyar Kağan Atay.
Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së paraqiti në takim, vizionin afatmesëm dhe afatgjatë të qeverisë shqiptare që shtrihet përtej rritjes së thjeshtë ekonomike, konkretisht në zhvillimin strategjik të turizmit të nivelit të lartë.
Duke patur parasysh edhe shifrat në rritje të turistëve, ku numri vizitorëve nga Turqia i kaloi 300 mijë vetëm në 2024, ambasadori Atay e përgëzoi Shqipërinë për këtë sukses të madh.
“Jemi krenarë për suksesin tuaj. Për një vend me 2.8 milion banorë, tërheqja e një numri 4 herë më të madh sesa numri i popullsisë është një sukses i madh”, theksoi ambasadori turk.
Çela shprehu dëshirën për të konsoliduar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave mes Agjencisë Kombëtare të Turizmit me Agjencinë Turke të Promovimit dhe Zhvillimit të Turizmit.
Ambasadori Atay tregoi vullnetin e plotë për t’u angazhuar në përafrimin e modelit turk të turizmit me atë shqiptar, edhe në kuadër të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Në takim u bisedua edhe mbi kalendarin digjital të aktiviteteve turistike dhe kulturore që aplikacioni TEA ofron për turistët.
/k.s/






















