TIRANË, 8 maj/ATSH/ Unaza e Madhe e Tiranës është drejt përfundimit.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se punimet po avancojnë në të gjitha lotet dhe se ajo do të jetë gati në fund të këtij viti.
“Unaza e Madhe e Tiranës po avancon në të gjitha lotet. Përfundon plotësisht në fund të këtij viti”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.
Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment rrugor të gjerë dhe me standarde, mbi 27 kilometra të gjatë.
Ndërtimi i Unazës lehtëson trafikun dhe shkurton distancat, sidomos për mjetet që kalojnë tranzit në Tiranë, apo lëvizin nga periferia jashtë Tiranës. Kjo unazë do të bëjë të mundur një shpërndarje të trafikut.
Në të gjitha zonat ku kalon, ky segment rrugor gjallëron jetën e komuniteteve dhe rrit vlerën e pronave dhe të investimeve të banorëve të komuniteteve.






















