Ballina Aktualitet

Alibeaj: Rezoluta e PS synon të pengojë punën e SPAK-ut dhe GJKKO-së

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se, rezoluta e PS synon të ndërhyjë në Reformën në Drejtësi përmes Parlamentit.

Në një konferencë për shtyp së bashku me përfaqësuesin ligjor të PD, Rezart Kthupi, Alibeaj duke iu referuar projektrezolutës së propozuar një ditë më parë nga grupi parlamentar i PS-së, u shpreh se djalli qëndron në detaje.

Duke cituar pikën 7 të rezolutës ku thuhet se “palët angazhohen të garantojnë pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi, konsolidimin e saj, rritjen e eficiencës së sistemit të drejtësisë, fuqizimin e pavarësisë dhe paanësisë së pushtetit gjyqësor, nxitjen e cilësisë së sistemit të drejtësisë nëpërmjet forcimit të integritetit, llogaridhënies e transparencës”, Alibeaj tha se synimi është të ndërhyhet në Reformën në Drejtësi.

“Të ndërhyhet nëpërmjet Parlamentit në korpusin legjislativ edhe strukturor të sistemit të drejtësisë”, tha Alibeaj. Sipas tij, “i hetuari kërkon të ndryshojë rregullat e atij që heton. Si do ta bëjë? – duke përfshirë në këtë rast edhe Kuvendin.

Alibeaj shtroi pyetjen përse propozohet tani kjo rezolutë, duke u përgjigjur se ka të bëjë me avancimin që ka bërë drejtësia e re, SPAK-u.

“Hap pas hapi, me hapa të vegjël, por të sigurt po ecën drejt majës së qeverisë më të korruptuar të këtij shteti”, tha më tej Alibeaj.

Sipas tij Parlamenti, bëri provën gjenerale me Amnistinë Penale.

Alibeaj theksoi se, kjo rezolutë ka vendosur në pikë pyetje suksesin e reformës në drejtësi.

“Kemi arritur që Qeveria me hedhjen në mejdanin politik dhe publik, të nevojës për të bërë ndryshime edhe në SPAK, edhe te reforma në drejtësi, praktikisht ka thënë që reforma në drejtësi nuk është performante, nuk është e sukseshme. Cila është arsyeja që sot, tani do të duhet të hidhte këtë dorashkë politike në mes të Parlamentit”, u shpreh Alibeaj.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRezoluta e PS-së, Meta: Të ngrihen komisionet hetimore të kërkuara nga opozita
Artikulli tjetërRama: Unaza e Madhe e Tiranës përfundon në fund të vitit