TIRANË, 8 maj /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, tha sot se rezoluta e propozuar në Kuvend nga Partia Socialiste është një shashkë, duke iu referuar rezolutës së paraqitur dje në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të PS dhe kabinetit qeveritar që shpreh synimin “të nxisë frymën e dialogut konstruktiv politik dhe institucional brenda kuadrit kushtetues e ligjor, ndërmjet tre pushteteve të pavarura si edhe të gjithë aktorëve institucionalë e faktorëve politik e shoqërorë në vend në funksion të një cikli të ri reformimi”.
Në një komunikim me gazetarët, Meta tha se komisioni i posaçëm duhet të ngrihet vetëm pasi Kryeministri Rama të pranojë të ngrihen të gjitha komisionet hetimore të propozuara nga opozita.
“Kur Rama të pranojë të gjitha komisionet hetimore të opozitës ende mund të besohet se ka një reflektim. Nuk e kuptoj çfarë është ky komision i posaçëm, ky është një vend që falë rilindjes po bëhet laborator eksperimentesh të posaçme. Janë shashka që nuk çudisin askënd. Nuk pret askush reforma nga Rama, reforma e vetme e Ramës është shpopullimi”, tha Meta.
“Ne kemi kushtetutën dhe i qëndrojmë Kushtetutës për ndarjen e pushteteve, për garantimin e llogaridhënies në Kuvend dhe kudo. Partia e Lirisë është këtu dhe do jetë kudo në Kuvend, në institucione në mbrojtje të kushtetutës. Llogaridhënia do vendoset shumë shpejt. Kur Rama të pranojë të gjitha komisionet hetimore të opozitës ende mund të besohet se ka një reflektim”, tha Meta.
Sipas Presidentit të Partisë së Lirisë, mazhoranca po kërkon intimidimin e medias dhe shtypit të lirë.
“Ai përpiqet me çdo kusht të rrisë presionin për të intimiduar median dhe shtypin e lirë, përpiqet çdo sekondë të centralizoje pushtetet përfshirë edhe dardhat që do ti marrë në një dorë në mënyrë absurde, këto janë tregues se kemi të bëjmë me shashka që nuk çudisin askënd. Nuk pret askush reforma nga Rama”, nënvizoi Meta.
/a.f/























