Ballina Aktualitet

Hetimi për procesin e sterilizimit, Beqaj: Pres nga SPAK raportin e KLSH dhe kthimin e laptopit

TIRANË, 5 janar/ATSH/ Ish Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, është paraqitur të premten para prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, në respektim të masës së sigurisë të vendosur nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, “detyrim paraqitje”, për shkak të hetimit të nisur  ndaj ish-ministrit nga SPAK për koncesionin e Sterilizimit.

Ish Ministri Beqja, duke folur për mediat në dalje të SPAK, u shpreh se, “që prej 20 nëntorit në zbatim të vendimit të gjykatës duhet të paraqitem te një nga hetuesit e çështjes së sterilizimit. Ky proces ndodhi edhe sot”.

Beqja tha se pret nga prokurorët e çështjes pret që t’i vihet në dispozicion raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, mbi të cilin bazohet hetimi i nisur ndaj personit të tij.

“Ka katër javë që kemi kërkuar të gjithë raportin e KLSH mbi të cilat është ndërtuar pretendimi i shkeljeve të ndryshme dhe akoma nuk më është vënë në dispozicion”, vijoi Beqja, i cili më tej tha se ka 15-vite që e njeh Ermal Kurtulajn.

Ai ka kërkuar po ashtu dhe kthimin e lap-topit, të cilin SPAK i’a ka sekuestruar në kuadër të një hetimi paralel me atë koncesionit të sterilizimit që po kryen SPAK, në ngarkim të Beqajt.  “Kjo është një gjë që mund ta refuzosh brenda 24 orësh. Unë e kam pranuar që në momentin që ka ndodhur si kontrolli dhe sekuestrimi i sendeve. Të nesërmen kam kërkuar që laptopin, ku kam të gjithë materialet e sterilizimit të ma japin sa më shpejt që të mund të vazhdoj komunikimin me SPAK për çështjen e sterilizimit, siç jam i hapur për të zbatuar çdo gjë që kërkon drejtësia kërkoj që edhe ajo të jetë korrekt me mua” tha Beqja.

I pyetur mbi njohjen me Ermal Kurtulajn, emër i dal nga hetimet, Beqja u shpreh se ka njohje të vjetër.  “Ermal Kurtulajn e njoh prej më shumë se 15 vitesh. Që në maj të 2022 ka punuar në një projekt që ndiqej nga SASPAC. Lokali “Gzona” nga shkurti i 2020 nuk ka asnjë lidhje financiare ekonomike me familjen time. Bashkëshortja ime është larguar në shkurt të 2020 dhe nga gjithë puna që ka bërë ka marrë 1,5 milionë lekë të vjetra”, tha ish ministri Beqja.

Në mesin e muajit nëntor të 2023, ndaj ish-ministrit Gjykata e Posaçme caktoi masën detyrim paraqitje dy herë në muaj në prokurori, për akuzën shpërdorim detyre. Hetimi lidhet me koncesionin e sterilizimit, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj tashmë i arrestuar bashkë me ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakARRSH- Nga 8-12 janar devijim i trafikut rrugor në rrugën e Unazës në Durrës
Artikulli tjetërDenaj: 52 veterinerë i bashkohen MBZHR-së, në shërbim të sigurisë ushqimore