Ballina Ekonomi

Denaj: Certifikimi i fidanëve, me rëndësi në zinxhirin e sigurisë ushqimore

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Specialistët e Entit të Farave dhe Fidanëve janë në terren çdo ditë për certifikimin e fidanëve perimore në këtë sezon të ri të mbjelljes së serrave me perime.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha sot se “gjatë periudhës janar-shtator Enti i Farave dhe Fidanëve ka certifikuar 21.8 milionë fidanë dhe 7.8 milionë fidanë janë në proces certifikimi”.

Denaj e cilësoi certifikimin e fidanëve një proces me rëndësi në zinxhirin e sigurisë ushqimore, duke garantuar prodhime bujqësore të sigurta dhe të shëndetshme për të gjithë.

“Nëpërmjet këtij certifikimi, sigurojmë fermerët për cilësinë e prodhimeve të tyre, eliminojmë riskun e dëmeve në vjelje dhe korrje dhe japim një vulë sigurie që i hap rrugën prodhimit bujqësor shqiptar drejt tregjeve evropiane me vlerë më të lartë, duke sjellë më shumë fitim për fermerin”, tha Denaj.

Vitet e fundit është bërë një evolucion shumë i madh sa i takon certifikimit të fidanëve. Një ndër masat e kësaj ministrie ka qenë orientimi drejt fidanëve të certifikuar. Këta fidanë i japin një garanci dhe konsumatorit të vendit, por edhe konsumatorëve në tregjet e kualifikuara ku çohen produktet në eksport.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPërkujtim në 112-vjetorin e lindjes, poezitë e Migjenit tronditëse si në kohën kur u shkruan
Artikulli tjetërBalluku: Linja e re 35 kV Korçë-Bilisht, përmirëson furnizimin me energji për mbi 13 mijë abonentë