Ballina Flash

Sako: 20 objekte arsimore u ndërtuan tre vitet e fundit në Durrës

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako uroi sot nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor 2023-2024.

“Urime të përzemërta nxënësve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë për një vit sa më të mbarë e të suksesshëm shkollor. Një urim i veçantë për nxënësit e klasave të para, që sot fillojnë rrugën e dijes”, shkruan Sako në një postim në rrjetet sociale.

Kryebashkiakja Sako u shpreh se “uroj mësueset dhe mësuesit, si dhe i shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për të gjithë përkushtimin, profesionalizmin dhe dashurinë që tregojnë në misionin e tyre fisnik për edukimin e brezave të ardhshëm. Urime gjithashtu prindërve që janë mbështetja kryesore e fëmijëve, në realizimin e objektivave të tyre të jetës nëpërmjet dijes e shkollimit”.

Sako tha se bashkia e Durrësit ka bërë shumë punë për t’i krijuar kushte sa më të mira fëmijëve dhe mësuesve.

“Tre vitet e fundit në Durrës janë ndërtuar 20 objekte arsimore të reja me standarde evropiane, ndërkohë që edhe ato ekzistuese janë në kushte optimale”, nënvizoi Sako.

Kryetarja e bashkisë Sako u shpreh se “puna vazhdon me ndërtimin e të tjera godinave arsimore me kushte bashkëkohore”.

“Kujdesi maksimal ndaj fëmijëve është prioriteti ynë, pasi ata janë e ardhmja e shoqërisë dhe e qytetit tonë”, tha Sako.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëria turistike, “Tirana Photo Festival” mbahet nga data 9-17 shtator
Artikulli tjetër​Osmani në Samitin e Brdo-Brijunit: Kosova, rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit