TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj tha se, energjia, siguria ushqimore dhe mbrojtja civile janë tre drejtimet e para kryesore ku është fokusuar bashkëpunimi mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.
Duke marrë fjalën në takim përmbyllës të punimeve dyditore të konferencës për Ballkanin e Hapur, “Sfidat kryesore dhe zgjidhjet lehtësuese për rajonin”, zhvilluar në Tiranë, Ahmetaj prezantoi konkluzionet e stafeve teknike dhe linjat kryesore ku do të fokusohet plani i bashkëpunimit.
“Ndaj një periudhe dyvjeçare që e ka vendosur rajonin e botën përpara sfidave shumë të mëdha nga sa çdo vend mund të përballojë, kërkesa e parë është që të punojmë bashkërisht në kuadër të nismës Ballkani i Hapur, si një hap që i paraprin bashkimit të vendeve tona në BE”, tha Ahmetaj, teksa vuri në dukje se grupet e punës brenda javës janë të ngritura dhe më 1 shtator do të kenë gati planin e detajuar të bashkëpunimit.
Ahmetaj tha se, në sektorin e energjisë parashikohet kryerja e investimeve të përbashkëta për rritjen e kapaciteteve energjetike nga burimet e rinovueshme, mbajtja hapur e linjave të transmetimit për përballimin e situatës së krizës energjetike, realizimi i marrëveshjeve afatgjata për shitblerjen e energjisë me çmim të arsyeshëm duke optimizuar burimet energjetike.
Sipas tij, ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë u ra dakord për të bashkëpunuar për shfrytëzimin e rezervave të qymyrgurit, me qëllim furnizimin me lëndë të parë të impianteve termo të Serbisë. Maqedonia e Veriut ka shprehur interes për të investuar në terminalin LG të Vlorës. Ndërsa në sektorin e bujqësisë është dakordësuar lehtësimi i barrierave të furnizimit mbi sigurinë ushqimore si dhe funksionimi i tregut të lirë mes tre vendeve. Vendet janë dakordësuar për gjetjen e një mekanizmi në rastet e përkeqësimit të krizës për akses në furnizimin e tregjeve.
Ahmetaj tha se, për sa i takon emergjencave civile, palët dakordësuan krijimin e kapaciteteve të përbashkëta, shkëmbimin e praktikave mes vendeve, plane të përbashkëta të reagimit dhe krijimin e një grupi ekspertësh me përfaqësues të tre vendeve.
Sipas tij, në drejtim të tregut të punës, u arrit që në samitin e ardhshëm në Beograd, më 1 shtator, të gjitha palët do të jenë të gatshme të nënshkruajnë protokollin e marrëveshjeve për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik dhe akses të lirë në tregun e punës.
/j.p/r.e/























