Ballina Ekonomi

Bytyqi: Ndërlidhje mes vendeve të “Ballkanit të Hapur” për krizën energjetike

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Fatmir Bytyqi, zv/kryeministër i ngarkuar për çështjet ekonomike, koordinimin e sektorëve ekonomikë dhe investimet e Maqedonisë së Veriut, deklaroi sot në konferencën e përbashkët në kuadër të “Ballkanit të hapur”, me temë “Sfidat kryesore dhe zgjidhjet lehtësuese për rajonin”, se “jemi dakordësuar për të kaluar krizën energjetike si dhe për efektet e mundshme të luftës në Ukrainë për sa i përket mungesave në ushqim”.

“Vetëm bashkërisht duhet t’i adresojmë këto dhe duhet t’i tejkalojmë. Konsideroj se kjo për rajonin e Ballkanit Perëndimor është një hap historik. Sepse zakonisht nuk jemi mësuar të shohim një adresim të përbashkët të problemeve dhe në vend të kësaj jemi mësuar shumë më shumë që të krijojmë pengesa”, tha ai.

“Sa i përket krizës energjetike kemi thënë dhe jemi dakordësuar që në kushtet e krizës ekonomike globale për ndërlidhjen rajonale me qëllim të sigurimit të një stabiliteti dhe një sigurie më të madhe në energjetikë. Sepse jo vetëm në qeverinë e Maqedonisë së Veriut është ky fokus, por të njëjtën e ndajmë dhe me partnerët në rajon në Shqipëri dhe Serbi. Dhe kjo do të duhej të ishte një nxitje për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Lindore që t’i bashkohen shqyrtimit të përbashkët të këtij problemi”, u shpreh Bytyqi.

“Prioriteti ynë është ndërlidhja rajonale. Për ne si qeveri e Maqedonisë së Veriut, por konsideroj që për të gjithë në rajon, më në fund duhet të fillojmë të flasim për rritjen e kapaciteteve energjetike dhe furnizimin e sigurtë me energji”, theksoi Bytyqi.

“Çdo ide e re për investime të përbashkëta do të mbështet nga qeveria jonë, prandaj konsideroj që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhej të mendonin në drejtim të luftës kundër krizës energjetike përmes investimeve të përbashkëta në të ardhmen e afërt”, tha Bytyqi.

“Jam tejet i kënaqur që Republika e Shqipërisë vendos të gjitha resurset ekzistuese dhe kapacitetet në dispozicion të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë për të mundësuar që të kemi sa duhet material për prodhimin e energjisë. Dhe shpresoj që pas informatave dhe raporteve të ndryshme të grupeve të punës kjo do të operacionalizohet në mënyrë të duhur dhe materializohet në mënyrën e duhur në periudhën e ardhshme”, theksoi Bytyqi.

“Jam i kënaqur sa i përket hapave që kemi bërë sa i përket problemeve me ushqimin dhe krizën e ushqimit. E di që vendimi ynë i njëanshëm për ndalimin e eksportit ka shkaktuar reagime të caktuara, por kemi sqaruar që kjo ka qenë për shkak të nevojave tona të brendshme dhe që gjithsesi jemi të hapur dhe do të kemi edhe trajtim edhe marrëdhënie preferenciale ndaj vendeve që janë pjesë e Ballkanit të Hapur sa i përket nevojave të mënjanimit të ndalesës në eksporte”, u shpreh Bytyqi.

“Të tre vendet jemi të pajtimit që siguria e ushqimit në kushtet e krizës botërore paraqet sfidë dhe për këtë arsye duhet të krijohen të gjitha mekanizmat e bashkëpunimit mes vendeve tona”, nënvizoi Bytyqi.

Sa i përket tregtisë, tha Bytyqi, “jemi dakordësuar që praktikat e mira vetëm duhet të shfrytëzohen. Një praktikë e mirë është “one-stop-shop” ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, për personat dhe për mallrat dhe me të vërtetë funksionon, punon mirë dhe shpresoj që në kohën më të afërt do të bëjmë të njëjtën dhe me Republikën e Shqipërisë dhe pse jo dhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Sepse është e qartë, çdo thjeshtim i procedurave, për ekonomi, biznese, nënkupton bashkëpunim më të mirë dhe përfitime më të mëdha për të gjithë qytetarët tanë”.

“Konsideroj që një nga liritë themelore të BE që është mobiliteti i kapitalit njerëzor, po bëhet realitet në Ballkanin e Hapur. Të tre shtetet që nga shtatori do mund të shohin përafrimin e sistemit elektronik të identifikimit dhe pas kësaj shumë shpejt dhe në kontekstin e pranimit të lejeve të punës, kjo ka për të na mundësuar që të bëhemi më konkurrentë dhe më interesantë për temën tjetër që do të hapim dhe kjo është hyrja në ciklin investiv, i cili duhet të ndodhë në Ballkanin e Hapur me qasjen tonë të përbashkët”, përfundoi Bytyqi.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMeta: 59% e qytetarëve në Shqipëri kanë problem madhor, ekonominë
Artikulli tjetërAhmetaj: Dakordësi bashkëpunimi në 3 sektorë prioritarë mes vendeve të “Ballkanit të Hapur”