TIRANË, 4 maj /ATSH/ Bashkia e Memaliajt, në nderim të kujtimit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, emërtoi 2 rrugë të kësaj bashkie, me emrat e dy Dëshmorëve, Ilirjan Kalemi dhe Kastriot Çiçi.
Ceremonia u zhvillua në ambientet e bashkisë Memaliaj, ku morën pjesë përfaqësues nga pushteti vendor, familjarë të Dëshmorëve dhe drejtues të Komisariatit të Policisë Tepelenë.
Në këtë ceremoni u vlerësua vepra heroike dhe akti sublim i 2 Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.
Kryetari i bashkisë, Gjolek Guci ka përgëzuar nismën e ndërmarrë nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano i cili i ka kushtuar një rëndësi të veçantë nderimit të kujtimit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, me propozimin për të emërtuar rrugët e qytetit, me emrat e tyre.
Gjithashtu, shefi i Komisariatit të Policisë Tepelenë ka falënderuar drejtuesit e pushtetit vendor, për bashkëpunimin e treguar për emërtimin e 2 rrugëve në territorin e kësaj bashkie, me emrat e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, Ilirjan Kalemi dhe Kastriot Çiçi, të cilët do të mbeten përjetësisht shembull frymëzimi për brezat e rinj.
/r.e/























