Ballina Ekonomi

Kreditë me probleme u ulën në nivelin 3,8% dhjetorin e kaluar

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Raporti i kredive me probleme shënoi rënie në nivelin 3,8 % në fund të vitit të kaluar, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas BSH-së, me bazë vjetore ky tregues zbriti me 0,37%, ndërsa shënonte nivelin 4,17% në dhjetor 2024.

Raporti i kredive me probleme në muajin nëntor 2025 kishte shënuar rënie në nivelin 4,19%,

E përkthyer në vlerë totale në bilancet e bankave tregtare në vend, kredia me probleme llogaritet në 358 milionë euro.

Rënia e kredisë me probleme në sistemin bankar tregon përmirësim të stabilitetit financiar, cilësi më të mirë të kredidhënies dhe rritje të aftësisë së bankave për të financuar ekonominë, duke forcuar besimin në sektorin bankar. Banka e Shqipërisë vlerëson se, rënia e NPL-ve në nivelin më të ulët historik, shpesh lidhet me rritje të aktivitetit ekonomik, të ardhurave më të qëndrueshme dhe menaxhim më të mirë financiar nga bizneset dhe familjet, por edhe nga rënia e euros në raport me lekun.

Sa i takon kreditimit ky tregues është në rritje të qëndrueshme.

Referuar statistikave, në fund të vitit 2025, totali i kredisë së dhënë nga bankat u rrit në 9,4 miliardë euro, nga 8,3 miliardë euro që ishte në fund të vitit 2024.

Rritja e shpejtë e kredisë është nxitur nga kërkesa e lartë për hua si nga bizneset kryesisht për investime, por dhe nga individët për blerje banesash.

/e.xh/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakESTONI – Kreu i inteligjencës evropiane: Putini nuk ka plan të ndalë pushtimin në Ukrainë
Artikulli tjetërKupa e Shqipërisë, Vllaznia fiton minimalisht ndaj Bylisit në Ballsh