Ballina Flash

Beci: Katër projekte fituese për shkollat në Shkodër, me vlerë 4 milionë euro

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci tha sot se projekti për rikonstruksionin e shkollës “Ismail Qemali” është një koncept i lidhur ngushtë me zhvillimin e vizionit të bashkisë Shkodër për krijimin e mjediseve të përshtatshme për edukim, arsimim dhe zhvillim të aktiviteteve të ndryshme në shërbim të nxënësve dhe komunitetit.

Kryebashkiaku i Shkodrës, e bëri këtë deklaratë gjatë aktivitetit për prezantimin e projektit për rikonstruksionin e kësaj shkolle, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Beci tha se në kuadër të thirrjes së hapur të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për vitin 2025 bashkia Shkodër ka aplikuar me tetë projekte, prej të cilave është shpallur fituese e katër propozimeve në vlerën rreth 4 milionë euro.

“Projekti shkolla e hapur “Ismail Qemali” synon pikërisht rikonstruksionin e kësaj shkolle 9-vjeçare për ta rivitalizuar dhe vënë në kushte të standardizuara sipas të gjitha parametrave më të mira dhe modeleve bashkëkohore të mësimdhënies. Shkolla “Ismali Qemali” është një nga shkollat 9-vjeçare më të mëdha të bashkisë Shkodër me një numër të lartë nxënësish, rreth 850. Shkolla ka në ambientet e saj edhe kopshtin “Ismail Qemali” me mbi 20 fëmijë”, tha Beci.

“Gjithashtu duke qenë një shkollë me histori dhe traditë të mirë nevoja për rikonstruksion të kësaj shkolle bëhet edhe më e madhe pasi në vite nuk është realizuar një rikonstruksion total i saj. Ndërtesa aktualisht është e amortizuar dhe jashtë standardeve për efikasitet e siguri, me ndriçim te papërshtatshëm e kushte jo të mira të infrastrukturës në katër katet e saj”, shtoi ai.

Sipas Becit, përmes zbatimit të këtij projekti do të ketë ndërhyrje në të gjitha ambientet e brendshme e të jashtme të shkollës, përmirësim të kushteve infrastrukturore, që do të ndikojnë pozitivisht në procesin mësimor dhe krijimin e një ambienti të sigurt dhe të këndshëm për të gjithë.

“Projekti i rikonstruksionit të shkollës ka për qëllim krijimin e një hapësire funksionale dhe tërheqëse që jo vetëm përmirëson mjedisin arsimor, por edhe kontribuon në forcimin e lidhjeve sociale dhe komunitare përmes krijimit të hapësirave të përshtatshme për edukim dhe aktivitete arsimore, krijimin e klasave moderne ku mund të përshtaten për metoda mësimdhënieje të ndryshme, hapësira për takime komunitare dhe integrim social, etj.”, tha Beci.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBasha: Programi ynë për ish-të përndjekurit është amanet i historisë
Artikulli tjetërVotimi elektronik, KQZ: Qendra testimi në Vorë dhe Njësinë 10, Tiranë