TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Në rubrikën “Sy m’sy”, Kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur pyetjeve të adresuara nga qytetarët u shpreh se Erion Veliajn ta hetojnë deri në fund, por me prova.
“Nëse Erion Veliaj ka bërë korrupsion të shkojë atje ku shkojnë të gjithë ata që bëjnë korrupsion. Po korrupsion të provuar ama, jo ishe ti në avion me atë dhe t’i ia bëre gruan zëvendësministre. Si e nxjerr ti këtë? Ne jemi vend i vogël. Njohim njeri-tjetrin, takohemi, punojmë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se “nuk jemi Gjermania, Zvicra, e as Franca, që i kanë sistemet deklarimeve e sistemet bankare qysh kur nuk mbahet mend. Ne jemi vendi me sasinë më të madhe të keshit në Europë sepse pjesa e madhe e njerëzve nuk besojnë tek bankat akoma sepse i ka tmerruar diktatura. Dy janë mëkatet më të mëdha të kapitalizmit. Dy janë djallëzitë më të mëdha: bankat dhe taksat”.
“Ne jemi një shtet ku përveç punonjësve të administratës dhe biznesit, nuk deklaron njeri pasuri, nuk deklaron njeri të ardhura, akoma se është fazë zhvillimi kjo. Nuk jemi demokraci e konsoliduar, jemi demokraci e re”, theksoi Rama.
“Si u bëka këtu historia të kërkosh qimen në syrin e njërit dhe pastaj mos të shohësh traun. Si more po janë punonjësit e shtetit, nuk janë të gjithë nën dyshimin e arsyeshëm se vjedhin, kjo është e papranueshme është logjika e qorrave në rrjetet sociale. Duhet ndarë kjo punë lufta, kundër korrupsionit është luftë lundër korrupsionit”, tha Rama.
Rama shtoi se nuk i negocion idealet e tij pasi theksoi se ka dalë për të përmbysur atë sistem ku vendoste sigurimi i shtetit me këto lloj metodash.
“Nuk i negocioj parimet e mia dhe as pozicionin. PS e ka në ADN-në e vetë luftën për shtet edhe qasjen për të sakrifikuar pushtet, për të bërë shtet e ka në ADN-në e vet patjetër edhe mbrojtjen e standardeve nuk është Partia Socialiste një forcë politike që ka shkatërruar Shqipërinë nja 7 herë, që i ka çuar shqiptarët deri në buzën e luftës civile, nuk është PS që ka inkurajuar skemat piramidale, nuk është PS që kur është larguar nga pushtetit e ka lënë gropë shtetin. Nuk do të jetë PS një forcë politike që mos të jetë kërkuese për standardet”, theksoi Rama. /j.p/























