TIRANË, 4 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot komentuesve në rrjetet sociale në një lidhje të drejtpërdrejtë, ku u ndal te transformimi që ka ndodhur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.
“Për shëndetësinë patjetër flas. Mjafton të shkosh në QSUT apo edhe në spitalet e tjera dhe të shikosh se çfarë transformimi rrënjësor është bërë. Më vjen shumë keq që shumëkush, që fatmirësisht nuk ka shkuar në këto vite, vazhdon kujton spitalet e kohës së rrumpallës dhe i bie të njëjtës daulle, ndërkohë që ndryshimi është i pakrahasueshëm, i pakonceptueshëm, i paimagjinueshëm,” tha Rama.
Kryeministri theksoi se personalisht dy herë është operuar në spitalin e Sëmundjeve të Brendshme në Tiranë.
“Nuk ka asnjë ndryshim dhe jo vetëm në rastin tim, por me të gjithë pacientët jashtë vendit. Por, kjo nuk do të thotë se nuk ka probleme, gjëra për të rregulluar në raste të caktuara, si probleme të korrupsionit. Lajmi i mirë është që tek Onkologjiku – ku u shfaq një tumor i rëndë i korrupsionit – ne tani kemi një partneritet strategjik me një ndër dhjetë spitalet më të mira të botës, i rankuar i 9-ti në botë, me të cilin kemi nisur në spitalin Onkologjik një proces total transformimi në çdo aspekt,” tha Rama.
Ky partneritet, theksoi Kryeministri, do të jetë edhe për konsultat, regjimin e barnave etj.
Rama theksoi se partneriteti do të shtrihet në të gjithë kompleksin spitalor “Nënë Tereza”, i cili do të kthehet në kompleks ekselence spitalore në rajon në vitin 2030.
/a.f/r.e/























