Ballina Aktualitet

Rama ndan fotot nga Abu Dhabi: Marrëveshje strategjike energjetike dhe agjenci e përbashkët e letrave me vlerë

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm foto nga takimet e një dite më parë në Abu Dhabi ku u nënshkrua një marrëveshje strategjike tripalëshe për lidhjen nënujore energjetike me Italinë, si edhe marrëveshja për krijimin e Agjencisë së Përbashkët të Letrave me Vlerë, e cila siç u shpreh Kryeministri, ndër të tjera do të ngrejë në një nivel tjetër edhe gjurmimin fiskal të mallrave të importit.

Dje në Emiratet e Bashkuara Arabe, u nënshkrua marrëveshja e investimit për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë, qeverisë së Republikës së Italisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.

Marrëveshja, e cila për palën shqiptare u nënshkrua nga zv.kryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, bashkon vendet në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme.

Në fjalën e mbajtur në samitin global “Abu Dhabi Sustainability Week”, Rama u shpreh se kjo marrëveshje është një instrument shumë, shumë i rëndësishëm jo vetëm për transmetimin e energjisë së ripërtëritshme nga Shqipëria në Itali, por po kështu për të rritur kapacitetin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon, mbështetur në prodhimin e saj me 100% energji të ripërtëritshme. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBegaj përshëndet armëpushimin në Gaza: Zbatimi do lehtësojë vuajtjet për të gjithë të prekurit
Artikulli tjetërMbështetje nga Skema Kombëtare, fermeri nga Fieri investoi në prodhimin e perimeve në serra