LOS ANXHELES, 11 janar /ATSH-AFP/ – Duke qëndruar mes rrënojave të shtëpisë së tij në Palisades në Paqësor, Kyle Kucharski nuk mund ta besojë.
Gjithçka u bë hi, përveç një arkë vere me një emër shumë simbolik mbi të: “Purgator”.
Krejt rastësi për bankierin 38-vjeçar, i cili ka përjetuar më shumë se sa vuajtjet e tij këtë javë.
Kjo lagje e pasur me pamje nga malet e Los Anxhelesit u fshi praktikisht nga harta për shkak të zjarreve.
“Është qesharake: +Purgatori+. Sa ironike”, psherëtin ai duke ulur kokën.
Kucharski kishte blerë verën e Kolorados me gruan e tij për të festuar kalimin në shtëpinë e re të familjes.
”Por, nuk e kemi pirë kurrë”, thotë ai me sytë e ngulur në arkën e drurit.
“Ne nuk e kemi pirë kurrë”, përsërit gruaja e tij, Nicole Perri, e hutuar.
Kur zjarri shpërtheu në lagje të martën, çifti u largua me foshnjat e tyre 10 javë dhe 18 muajshe nën krahë, mes maleve ”të ndezura”, ku zjarri binte si ”lavë”.
Ata u kthyen për herë të parë të premten, të shoqëruar nga një patrullë policie, e cila u dha vetëm pak minuta kohë për të vlerësuar shkallën e dëmit.
”Prisja të gjeja… nuk e di çfarë, diçka”, thotë zonja Perri, duke kërkuar nëpër rrënoja e veshur me doreza të verdha.
“Diçka për të marrë me vete për të kujtuar këtë vend”, shton ajo.
– “E shkatërruar” –
Rrethinat e Los Anxhelesit janë ende të shkatërruara nga zjarre të shumta, të cilat janë ndezur nga erërat e forta, duke fryrë deri në 150 km/h këtë javë.
Ato vranë të paktën 10 njerëz, shkatërruan ose dëmtuan më shumë se 10 000 ndërtesa dhe detyruan më shumë se 150 000 njerëz të largoheshin.
Ndërsa mijëra zjarrfikës vazhdojnë të luftojnë me flakët, viktimat janë vetëm në fillim të një kalvari të gjatë.
Për disa, do të jetë e nevojshme të vajtohen të dashurit.
Për të tjerët, fillon lufta me kompanitë e sigurimeve.
Dhe që të gjithë, të vajtojnë jetën e tyre të mëparshme, të vazhdojnë të ecin përpara.
“Ajo ishte gardëroba ime”, tregon Perri duke shkelur mbi një grumbull prushi.
“Dhoma e bebes ishte atje. Kuzhina ishte atje, dhoma jonë e gjumit ishte këtu. Dhe ky është garazhi”, psherëtin ajo.
Stilistja shpërthen në lot duke përqafuar të shoqin.
“Jam e shkatërruar, e humbur, e shkatërruar plotësisht. Nuk dua t’u them fëmijëve të mi se shtëpia e tyre është zhdukur. Është kaq tragjike”, shton ajo.
Por nëse muret nuk janë më aty, momentet e lumturisë së përbashkët mbeten të gdhendura në kujtesën e saj.
”Jam e lumtur sepse këtu kam shumë kujtime, ishte shtëpia ime e parë. Jam shumë krenare”, i jep fund rrëfimit ajo./ a.jor.























